Bota
Trump dekret të ri për kufizimin e ujit, rrëzon vendimet e ish-presidentit Biden dhe Obama

Presidenti i SHBA Donald Trump, pasi u ankua për këtë çështje për vite me radhë, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën për të hequr kufizimet e presionit të ujit, duke thënë se ai dëshiron “të kujdeset për flokët e tij të bukur”.
Urdhri ekzekutiv i Trump anulon masat për mbrojtjen dhe menaxhimin e ujit të marra nga dy presidentët e mëparshëm demokratë, Barack Obama dhe Joe Biden. Siç deklaroi Shtëpia e Bardhë, Trump “do t’i japë fund luftës Obama-Biden për presionin e ujit dhe do t’i bëjë përsëri dushet e Amerikës të shkëlqyera”.
Presidenti amerikan i kërkoi Departamentit të Energjisë të shfuqizonte rregulloren e miratuar fillimisht nga Obama dhe të rivendosur nga Biden, e cila kërkonte që kokat e dushit të shkarkonin deri në 9.5 litra ujë në minutë. Urdhri i Trump heq kufizimet për të gjitha pajisjet që përdorin ujin, nga tualetet tek lavastoviljet.
“Në rastin tim, më pëlqen të bëj një dush të këndshëm, të kujdesem për flokët e mi të bukur”, shpjegoi Trump gjatë nënshkrimit të urdhrit. Ai shtoi se sipas rregulloreve aktuale ai duhet të bëjë dush për 15 minuta, duke e quajtur situatën qesharake.
“Ne do ta rrisim vëllimin e ujit që rrjedh nga dushet”, theksoi ai.

