Bota
Trump: Do vendosim tarifa mbi 10 për qind për vendet më të vogla

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tha sot gazetarëve se planifikon të vendosë tarifa mbi 10% për vendet më të vogla, duke përfshirë vendet në Afrikë dhe Karaibe.
“Ne do të vendosim një tarifë për të gjitha vendet. Mund të jetë një tarifë mbi 10% për mallrat nga të paktën 100 shtete”, tha Trump.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick tha se vendet me mallra që tatohen me këto norma do të ishin në Afrikë dhe Karaibe – vende që përgjithësisht kanë nivele relativisht modeste tregtie me SHBA-në dhe do të ishin relativisht të parëndësishme për adresimin e qëllimeve të Trump – për të reduktuar çekuilibrat tregtarë me pjesën tjetër të botës.
Këtë muaj, presidenti amerikan u dërgoi letra shumë vendeve dhe Bashkimit Evropian – duke njoftuar normën tarifore që do të zbatohej duke filluar nga 1 gushti.
Këto vende u përballën me tarifa të larta importi – të shpallura nga presidenti i SHBA-së, më 2 prill – të cilat shkaktuan panik në tregjet financiare.
Si pasojë, Trump vendosi t’i pezullonte ato për një periudhë negociuese 90-ditore që përfundoi më 9 korrik.
Presidenti Trump tha se do të fillonte me një tarifë më të ulët dhe do t’u jepte kompanive një vit kohë – për të ndërtuar fabrika vendase – përpara se të përballeshin me norma më të larta të taksave të importit

