Shkrime
Trump në Shtëpinë e Bardhë, rrezik i madh për Albin Kurtin
Gazetari dhe publicisti britanik, Tim Judah, ashtu si dhe ish-diplomati britanik, Timothy Less kanë parashikime aspak shpresëdhënëse për Kosovën në dy intervista të ndara. Ata shohin mundësinë që Donald Trump të bëhet president i SHBA-së dhe kjo, sipas tyre, s’do të ishte lajm i mirë për Kosovën dhe kryeministrin e saj, Albin Kurti.
“Amerikanët do dëgjojnë gjatë gjithë këtij viti për të përcaktuar në muajin nëntor se kush do të jetë president i Shteteve të Bashkuara. Këto zgjedhje do të jenë veçanërisht të rëndësishme për Kosovën, të cilën sot e udhëheq një kryeministër i cili pa mëdyshje do të donte që Joe Biden të mbetej president. Albin Kurti në mënyrë të paprecedentë në Kosovë, në zgjedhjet e fundit presidenciale pati shprehur dëshirën që të fitonte kandidati demokrat.
Biden këto ditë, filloi fushatën e tij për një mandat të dytë, duke e konsideruar kthimin e mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si kërcënim të madh për vendin më të fuqishëm në botë.
Paralelisht, Trump në një miting të fundit, u shpreh i sigurt se do të fitojë, duke e konsideruar Bidenin si presidentin më të keq në historinë e SHBA-së.
Në Prishtinë, kryeministri Kurti nuk ka dyshim se vetë do të jetë në pushtet edhe për një tjetër mandat, por ai sivjet me siguri do ta kujtojë periudhën kur gjatë Administratës Trump, i dërguari i SHBA-së atëherë, Richard Grenell i solli jo pak dhimbje koke.
Gazetari dhe publicisti britanik, Tim Judah, e ka përshkruar si rrezikun më të madh për Kosovën një kthim të mundshëm të Trumpit si president i SHBA-së. I pyetur për përpjekjet e Rusisë për një luftë të re në Ballkan, ai tha se Kosovës më shumë probleme do t’i shkaktonte Grenelli.
Ai gjithashtu theksoi se Kosova mbrohet nga NATO dhe kjo nuk do të ndryshojë, “përveç nëse presidenca e re e Trump vendos ndryshe”.
Nga ana tjetër, Timothy Less, studiues në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it parashikoi se Serbia do të presë që politika ndërkombëtare të kthehet në favor të saj, dhe sipas tij, kjo është shumë e mundur këtë vit.
Ai theksoi se në fund të këtij viti Kosova “do të jetë në një pozitë të keqe” pasi paraprakisht zgjedhjet europiane dhe ato në SHBA “do favorizojnë Serbinë”.
Duke përmendur kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se kjo do të risillte në tavolinë, idenë e ripërcaktimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në BE do të ketë ndryshime që do ta bënin të gjerë mbështetjen në kontient për këtë opsion amerikan.
“Zgjedhjet per Parlamentin Europian, do favorizojnë partitë nacionaliste-konservatore, zgjedhjet në Rusi do mbajnë si President Putinin dhe zgjedhjet në SHBA, të cilat, nëse sondazhet janë të sakta, do shohin Donald Trumpin të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ekziston gjithashtu mundësia e një qeverie të re të djathtë në Holandë dhe një kolaps i qeverisë në Gjermani, me kalimin e pushtetit te e djathta politike” – tregoi Timothy Less.