Bota
Trump pas takimit me Putinin: Bëmë përparim, por nuk kemi ende marrëveshje. Ukraina duhet të japë dakordësinë

Menjëherë pas takimit dhe konferencës së përbashkët për shtyp me Vladimir Putinin, Presidenti amerikan Donald Trump dha një intervistë për televizionin amerikan Fox News.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e vlerësoi me notën 10 takimin e tij të shumëpritur me presidentin rus Vladimir Putin dhe deklaroi se është bërë “përparim shumë i mirë” drejt paqes në Ukrainë. Megjithatë, Trump theksoi se “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje.”
“Ishte një takim shumë i ngrohtë. Putin është një njeri i fortë, shumë i ashpër, por takimi mes dy vendeve të rëndësishme ishte i ngrohtë dhe konstruktiv. Është gjë e mirë kur vendet e mëdha kuptohen me njëra-tjetrën. Mendoj se jemi shumë afër një marrëveshjeje. Por, natyrisht, edhe Ukraina duhet të japë dakordësinë e saj”, u shpreh Trump gjatë intervistës.
Trump e përshkroi takimin si “jashtëzakonisht produktiv,” por theksoi se nuk është arritur ende përfundimi i konfliktit.
“Pati shumë pika ku ramë dakord, shumicën e tyre, mund të them. Kishim edhe disa çështje të mëdha ku nuk kemi arritur ende një marrëveshje, por kemi bërë përparim. Nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje,” deklaroi ai për mediat.
Presidenti rus Vladimir Putin ndau një qëndrim të ngjashëm, duke e quajtur samitin si një “atmosferë konstruktive me respekt të ndërsjellë.”
Hapat e ardhshëm drejt paqes në Ukrainë do të përfshijnë biseda mes Trump, presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe liderëve të tjerë të NATO-s. Trump u shpreh se do ta këshillojë Zelenskyyn të “arrijë një marrëveshje.”
“Ukraina po përballet me një makineri të madhe lufte. Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje, por nuk dua ta them me siguri. Zakonisht, kur jam afër, them 50-50, sepse mund të ndodhin shumë gjëra. Por besoj se Presidenti Putin dëshiron ta zgjidhë këtë çështje, një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Sot më paraqitën një libër me mijëra emra të burgosurish që mund të lirohen”, shtoi Trump.
Presidenti amerikan zbuloi gjithashtu se është i gatshëm të marrë pjesë në një takim paqeje me Putinin dhe Zelenskyyn.
“Tani gjithçka varet nga Presidenti Zelenskyy dhe sigurisht që edhe vendet evropiane duhet të përfshihen më shumë. Por nëse duan, unë do të jem në atë takim. Janë duke planifikuar një takim mes Zelenskyyt, Putinit dhe me sa duket edhe mua. Nuk e kërkova vetë, por dua të sigurohem që kjo të realizohet. Dhe mendoj se kemi një shans të mirë”.
Në një konferencë për shtyp, Putin konfirmoi deklaratat e Trumpit se një luftë e tillë nuk do të kishte shpërthyer nëse ai do të ishte President i Amerikës. Ndërkohë, Trump fajësoi administratën Biden për “paaftësi të rëndë.”

