Kosova
Trump pranon rolin dominues të Serbisë, zvogëlon mbështetjen për sovranitetin e Kosovës
Janusz Bugajski, njohës i zhvillimeve në rajon, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” rreth presidencës së paparashikueshme amerikane, ka vlerësuar se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund të pranojë rolin dominues të Serbisë dhe të zvogëlojë mbështetjen për sovranitetin e Kosovës.
Bugajski ka shtuar se Ballkani Perëndimor nuk do të jetë prioritet i lartë për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara nën presidencën e dytë të Trumpit, duke marrë parasysh edhe problemet madhore ndërkombëtare. Dhe kjo, sipas tij, mund t’i mundësojë Rusisë ta zgjerojë ndikimin e saj në këtë rajon të rrethuar nga pasiguritë.
“Trumpi mund të ketë edhe më shumë gjasa të pranojë rolin dominues të Serbisë dhe të zvogëlojë mbështetjen për sovranitetin e Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Zyrtarët e Trumpit mund të favorizojnë një marrëveshje me Serbinë duke lejuar komunat veriore të Kosovës t’i bashkohen Serbisë”, ka konsideruar Bugajski.
Përderisa shumë e kanë parë fitoren e Trumpit si kërcënim për Kosovën, posaçërisht në kontekstin e konfliktit me Serbinë, duke marrë parasysh edhe trashëgiminë e administratës së tij të parë, shumë të tjerë kanë theksuar se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë mundësi pozitive të reja për vendin e vogël ballkanik.
Kujtojme se zgjedhjet presidenciale amerikane kanë ardhur në kohën kur administrata aktuale e demokratëve ka shtuar përpjekjet për t’i zbutur tensionet në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin t’i normalizojnë raporet për të ecur përpara drejt integrimeve evropiane.