Connect with us

Politike

Trump, Rama e të tjerë firmosin ‘Bordin’ në Davos/ Europianët kërkojnë ndryshime

Presidenti amerikan Donald Trump po planifikon një ceremoni nënshkrimi për ‘Bordin e Paqes’ në Davos këtë të enjte, por mbetet e paqartë se cilat vende do të firmosin dokumentin.

Burime të shumta të Bloomberg tregojnë se disa prej të ftuarve po kërkojnë nga SHBA-të të rishikojnë termat e marrëveshjes.

Bordi ka hasur në kritika të forta: Izraeli ka shprehur shqetësim, Evropa e ka vënë në dyshim dhe miqtë e Rusisë e përshëndesin iniciativën.

Sipas burimeve të Bloomberg, shumë liderë botërorë janë befasuar nga kërkesa e Trump për 1 miliard dollarë për anëtarësim të përhershëm, duke ngritur dyshime mbi destinacionin e këtij fondi dhe fuqinë reale vendimmarrëse të bordit, e cila duket se i lihet kryesisht ish-presidentit amerikan.

Burimet thanë se zyrtarët evropianë po punojnë për të ndryshuar termat e dokumentit dhe po koordinojnë një përgjigje të përbashkët. Ata po përpiqen të bindin liderët arabë që të ndihmojnë në negociatat me Trump për të sjellë ndryshime.

Sipas një zyrtari evropian, bordi duket si një tentativë e Trump për të krijuar një alternativë ndaj OKB-së, duke e përdorur atë si mjet për të menaxhuar konflikte të ndryshme dhe për të kontrolluar ngjarjet ndërkombëtare.

Ndër personat kyç në negociata janë Tony Blair, së bashku me emisarët e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët mund të ndihmojnë në përshtatjen e termave pas komenteve mbi draftin fillestar.

Situata komplikohet edhe nga kërcënimet e Trump ndaj Groenlandës dhe statusi i negociatave për Ukrainën.

Zyrtarët evropianë po ndjekin strategjinë e zakonshme: të fitojnë kohë, të duket se angazhohen dhe të përpiqen ta qetësojnë presidentin amerikan.

Trump ka ftuar gjithashtu Putin, Orban dhe Lukashenko për t’u bashkuar me bordin, një lëvizje që një zyrtar evropian e quajti farsë, duke vënë në dukje se ata ndoshta do të jenë të lumtur të pranojnë ftesën.

Kjo konfirmon dilemat e kontinentit: të pranojnë iniciativën e Trump ose të rrezikojnë një tjetër ndarje të aleancës transatlantike.

Advertisement