Bota
Trump thotë se e shpëtoi Khamenei-n nga një “vdekje e turpshme”

Presidenti amerikan Donald Trump pretendon se i ktheu mbrapsht planet për të hequr sanksionet kundër Iranit pasi Udhëheqësi Suprem i Republikës Islamike Ali Khamenei mbajti një fjalim dje duke deklaruar se Trump kishte “ekzagjeruar” ndikimin e sulmeve në vendet bërthamore iraniane, ndërsa kërcënoi të përsëriste “shuplakën” që Teherani u kishte dhënë forcave amerikane në rajon.
“Gjatë ditëve të fundit, unë po punoja për heqjen e mundshme të sanksioneve dhe gjëra të tjera, të cilat do t’i kishin dhënë një shans shumë më të mirë Iranit për një rimëkëmbje të plotë dhe të shpejtë”, shkruan Trump në Truth Social.
“Por në vend të kësaj, më godet një deklaratë zemërimi, urrejtjeje dhe neverie dhe menjëherë hoqa dorë nga të gjitha punët për lehtësimin e sanksioneve dhe më shumë”, shton ai, duke kritikuar Khamenein për deklaratën e tij “të hapur dhe budallaqe”.
Trump thotë se “si një njeri me besim të madh, ai nuk duhet të gënjejë”, duke përsëritur këmbënguljen e tij se vendet bërthamore të Iranit u “shkatërruan” në sulmet amerikane të dielën.
Presidenti amerikan theksoi se ai “e dinte saktësisht” se ku fshihej Khamenei gjatë luftës dhe nuk e la Izraelin ose ushtrinë amerikane ta vrisnin.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha dje se Izraeli nuk e vrau Khamenei-n sepse nuk e dinte se ku fshihej nën tokë.
“E shpëtova nga një vdekje shumë e shëmtuar dhe e turpshme”, thotë Trump, ndërsa thekson gjithashtu se ai urdhëroi Izraelin të kthente avionët që po planifikonin të godisnin Iranin në mënyrë të konsiderueshme në përgjigje të zjarrit me raketa të lëshuar nga Teherani pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.
“Do të ishte sulmi më i madh i luftës deri tani”, thotë Trump.

