Shkrime
Trushpërlarët shqiptarë
Fotot me kongresmenë amerikanë, ngjitur me lloj lloj politikanësh shqiptarë, kanë mbytur mediat këto ditë. Një grup deputetësh shqiptarë, bashkë me disa personazhe që nuk kanë asnjë lloj lidhje me politikën veçse të tërthortë, gjenden në Amerikë për Mëngjesin e Lutjeve, siç ndodh rëndom çdo vit. T’i pyesësh personalisht secilin, as dinë të japin përgjigje se çfarë është “Mëngjesi i lutjeve”, por të gjithë janë të gatshëm të vrapojnë nëpër zyra e korridore, sipas një kalendari të paraoganizuar, për të kapur një foto me cilindo kongresmen apo senator në SHBA.
Fjalia shabllon që shoqëron fotot është sipas zakonit; “takim i shkëlqyer”, “miku ynë dhe i shqiptarëve”, “demokracia dhe lufta kundër korrupsionit”, dhe në fund sigurisht “aleati i madh SHBA”. Që kongresmenët dhe senatorët me të cilët takohen as ia kanë haberin as për vendin tonë e aq më shumë për këta personazhe që takojnë, kjo nuk do mend. Takime të tilla bëhen pjesë e një axhende të ngjeshur, ku kongresmenë e senatorë amerikanë presin në zyrë një rresht të tërë politikanësh, kryesisht nga vende të rraskapitura si ky yni, për të bërë një takim 10 minutësh, për të shkrepur një foto kortezie, e pastaj….radha me takimin tjetër.
Të dyja palët në takim, janë të ndërgjegjshëm për njëri-tjetrin. Njëra që as ka dijeni se kë po takon e as ka vesh për të dëgjuar se ç’thonë, dhe pala tjetër që as do t’ja dijë nëse kongresmeni apo senatori përballë dëgjon ndonjë fjalë. Të parët mezi presin të mbarojë takimi. Të dytët mezi presin të vijë momenti i fotografisë për ta nxjerrë në Facebook si ushqim për mbështetësit lokal këtu në vendin tonë.
E njëjta gjë ndodh me fotot që bëjnë ministra e deputetë me ambasadorët në vendin tonë. Janë të rralla rastet kur ministra e deputetë në vendet afër nesh, krenohen në Facebook duke publikuar foto me ambasadorë të çdo lloj vendi. Sigurisht të tilla foto nuk gjenden kurrësesi në vende të stabilizuara dhe mjaftueshmërisht demokratike, por rrallë gjenden dhe në vende me probleme mesatarisht të rënda, ku roli i ambasadorëve, veçanërisht i disa vendeve me fuqi jo të vogël, është i theksuar. E gjitha ka lidhje me legjitimitetin. Ngjeshja në foto e secilit prej personazheve shqiptarë që publikojnë foto të tilla, është e mjaftueshme për të konfirmuar hallin që kanë.
Damian Gjiknuri, nga një prej ish ministrave më të rëndësishëm të Qeverisë Rama, sot “parkuar” në funksione partiake, por që mban mbi kokë disa skandale me hije të rënda korrupsioni e po kështu, dhe një aleancë të fshëhtë me Arben Ahmetaj, po njëlloj nuk humb asnjë rast të publikojë foto me lloj lloj amerikani.
Të blera me dollarë apo të kapura falas nga një Mëngjes Lutjesh, secila foto e publikuar tregon po të njëjtin hall. Sa më shumë korruptohen, aq më shumë foto bëjnë. Sa më pak legjitimitet kanë, aq më shumë foto publikojnë.
Kësaj rruge nuk i janë shmangur as nivelet më të lartë të politikës në Shqipëri dhe gjasat që kjo qasje të ndryshojë, janë thuajse zero.
Historia ka treguar se personazhe më periferikë e gati qesharak të politikës sonë lokale, kanë bërë nga një xhiro në Amerikë për të kapur cepin e ndonjë fotoje. E po kështu, pagesat e bëra prej tyre vetëm që të shisnin këtej “mbështetjen amerikane” janë bërë publike në jo pak raste.
Ish-nënkryetari i bashkisë Kamëz, më pas deputet zëvendësues në Parlament, u bë lajm për pagesat që kishte bërë i kushëriri i tij vetëm për një foto me një senator amerikan. Rudina Hajdari deri para pak kohësh, të rreshtonte albume të tëra fotosh amerikane, në kohën kur besonte vërtetë se fatet e PD dhe vendit, do mbeteshin në dorën e saj si pasardhëse e misionit që nisi babai i saj, Azem Hajdari, siç deklaronte jo rrallë ajo në jo pak raste.
Pandeli Majko, ish-kryeministër i vendit, sot deputet zëvendësues në Parlament pasi nuk arriti të merrte dot vota mjaftueshëm për të fituar vetë, deri para pak kohësh ishte gjithmonë një buzëqeshje e shtuar në fotot me senatorë e ish-senator amerikanë. Buzëqeshja epike e Pandit në këto raste nuk ka munguar kurrë.
Por duket se Pandeli Majko, që në qeverinë Rama u bë edhe Ministër por që është e zorshme ti rendisësh ndonjë rezultat konkret pune, heshtjen dhe pasivitetin thuajse total në politikën e këtushme, e ka kompensuar me “kontakte ndërkombëtare” të cilitdo lloj, duke arritur të vetëshpallej edhe muxhahedin, vetëm që të kapte lajmet e këtushme dhe duartrokitjet e një salle plot me muxhahedinë të tjerë, të cilët dëgjonin Pandin në modelin e Kenedit të deklaronte me pompozitet “unë jam muxhahedin”.
Dhe muxhahedini Pandeli Majko ka humbur shkëlqimin bashkë me të gjithë grupin e mijëra muxhahedinëve që gjenden ende në kodrat e Sukthit në Shqipëri, dhe fotot me amerikanë nuk e ndihmuan dot as të fitonte aq pak vota sa duheshin për mandatin e tij parlamentar.
Lista e personazheve komik apo të atyre me peshë në politikën shqiptare, që vrapojnë për një foto për trushplarjen e votuesve këtu, është shumë më e gjatë se kjo që kemi renditur ne. Por të gjithë bashkë, kanë një hall që nuk e zgjidhin dot me foto. Qoftë korrupsioni apo qoftë mungesa e legjitimitetit politik, nuk fshihet dot pas një buzëqeshjeje të ngjeshur krah më krah me cilindo ambasador, senator apo konkgresmen amerikan, e po kështu me cilindo politikan tjetër evropian. E sigurtë është se më shumë sekonda zgjat shkrepja e fotos, sesa buja e saj në Shqipëri. Ata bëjnë sikur nuk e dinë, populli bën sikur e ha.
Në fund, mbetën po të njëjtët. Të korruptuar dhe paligjitimitet. Trushplarësit shqiptarë ia dalin t’ia hedhin vetëm vetes.
ZËRI