Kronike
EMRAT/ Turistja italiane nuk i mbijeton aksidentit, ndërron jetë në spital
Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës shtetasja italiane e aksidentuar pasditen e kësaj të marte në Pogradec. Viktima është shtetasja Elena Radaelli, 31 vjeçe, banuese në Milano, Itali.
Lajmi konfirmohet nga autoritetet policore, teksa 31-vjeçarja, pasi mori ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit, u nis me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
E reja ka qenë duke udhëtuar me motor në aksin rrugor “Pogradec-Lin”, pranë fshatit Udënisht, në momentin kur u përplas nga automjeti tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi Artan Bali, 33 vjeç, banues në Lushnjë, një aksident që rezultoi fatal për shtetasen italiane.
Policia e Korçës bën me dije se është arrestuar shoferi i “Benzit” dhe po punohet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Njoftimi:
Vihet në pranga drejtuesi i automjetit, i përfshirë në aksidentin e ndodhur pasditen e sotme, si pasojë e të cilit ndërroi jetë drejtuesja e motomjetit.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pasditen e sotme, për një aksident rrugor ju informojmë se specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 33 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në aksin rrugor “Pogradec-Lin”, pranë fshatit Udënisht, Pogradec, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përplasur me një motomjet me drejtuese shtetasen italiane E. R., 31 vjeçe, banuese në Milano, Itali, e cila pas ndihmës mjekësore të marrë në spitalin e Korçës, u transportua në spitalin e Traumës Tiranë, ku ka ndërruar jetë.
Nga ana e Policisë po kryhen veprimet hetimore dhe po punohet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.