Kosova
TURP të kesh, Daçiç përplaset me Von Cramon, kush po fyen Serbinë
Ministri i Punëve të Jashtme serb, Ivica Daçiç, ka pretenduar se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me deklarimet e saj po fyen Serbinë.
Këto komente, Daçiç i ka bërë pasi von Cramon përmes një postimi në platformën X, tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç, po bën blof duke kërcënuar se do të largohet nga Këshilli i Evropës nëse pranohet Kosova në këtë organizatë.
“Niveli i paturpësisë me të cilën disa politikanë evropianë po i drejtohen shtetit të Serbisë është befasues. Kush dhe çfarë i jep të drejtë Viola von Cramon-it, të ofendojë Serbinë, Presidentin Aleksandër Vuçiç dhe popullin serb” – ka ngritur zërin Daçiç, duke shtuar se eurodeputetet dhe raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, e dëgjojnë të gjithë por askush nuk e kritikon për ato që thotë në dëm të Serbisë”
Ai ka pretenduar se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte precedent dhe shkelje e rëndë e parimeve mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës”, sepse, siç u shpreh ai, “Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe as anëtar i Kombeve të Bashkuara”.
“Na kanë gënjyer se kusht për Kosovën do të jetë formimi i Asociacionit. Në vend që të dënohet Prishtina për mospërmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, tani duhet të shpërblehet me pranim në Këshillin e Evropës” – potencoi Daçiç dhe shtoi se Serbia është një shtet sovran “që udhëheq një politikë të jashtme të pavarur, politikë që ka si detyrim ekskluziv, interesat e Serbisë”.
Kujtojmë se, Paralajmërimin e presidentit të Serbisë Vuçiç, se Serbia mund të largohet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova anëtarësohet, von Cramon e ka cilësuar si blofin e radhës së tij, meqë në vlerësimin e saj është e sigurt që Serbia nuk largohet nga kjo organizëm ndërkombëtar.
“Deklarata nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt”, ka shkruar von Cramon në platformën sociale, X, duke iu referuar deklaratave të fundit të Vuçiç-it, dhe se “Anëtarët e Këshillit të Evropës, sipas eurodeputetes gjermane, “do të vendosin vetë se kë do të pranojnë”.
“Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës, që kjo e fundit të pengohet të pranohet”, është shprehur Von Cramon.
Jo vetëm në Marrëveshjen Bazike që tashmë ka mbushur një vit – por edhe në vetë Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve, Serbia ishte pajtuar të mos e pengojë as inkurajojë dikë tjetër të ndalojë rrugëtimin evropian të Kosovës.
Tashmë ajo që kishte nisur si prolog – pas përjashtimit të Federatës Ruse – po kthehet edhe epilog, në eventualitetin dita-ditës të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Beogradi zyrtar ka nisur kafshimin e dhëmbëve të vet në kundërshti të anëtarësimit të Kosovës në këtë paradhomë të Bashkimit Evropian.
Në dritën e shpalosjes së raportit – tashmë edhe publikisht tejet premtues – të Raportueses së Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyanis, Serbia zyrtare, e angazhuar me orar të plotë në luftimin e aplikimit të Kosovës, ka hedhur vrerë ndaj deklarimeve të saj.
Vetë pakica serbe, tha Bakoyanis, do të përfitojë “më së shumti” nga anëtarësimin e Kosovës në KiE, prandaj edhe deklaroi se ka rekomanduar një “periudhë monitorimi” të Kosovës nga Këshilli.
“Raporti im paraqet situatën aktuale për të drejtat e njeriut, si edhe e arritur në zbatimin dhe miratimin e ligjeve. Nëse raporti miratohet, atëherë do të hyjmë në procesin e postmonitorimit” – ka treguar Bakoyanis