Connect with us

Bota

Turqia kërcënon…/ Greqia armik tragjik

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, bëri kërcënime të drejtpërdrejta kundër Greqisë, duke ndezur kështu akoma edhe më shumë tensionet e kohëve të fundit, të hënën në mëngjes.

“Edhe pse themi se duhet të respektohen të drejtat e fqinjëve në të dy anët e Egjeut, grekët vazhdojnë ‘të kruhen’. Nëse filloni një aventurë në emër të të tjerëve, do të vuani pasojat siç ka ndodhur në të kaluarën. Ky është një paralajmërim për Greqinë”, tha ministri i Jashtëm turk.

Gjatë një deklarate në një aktivitet në provincën e Haimanës, Cavusoglu vijoi me të njëjtin ton sfidues, duke u shprehur: “951 vjet më parë me betejën e Mazikert, ne e bëmë Anadollin atdheun tonë. Kjo është fryma që mbrojti atdheun për 100 vjet, e njëjta frymë vlen edhe sot. Kështu që mblidhni zgjuarsinë tuaj, mblidheni veten. Ne i drejtohemi kryesisht Greqisë. Mos u bëni instrumente të të tjerëve, mos vazhdoni sfidat. Sepse miqësia e Turqisë është e mirë, por armiqësia e saj është tragjike”.

“Mbajeni parasysh këtë”, përfundoi Mevlut Cavusoglu.

Kjo është deklarata e parë publike e një zyrtari turk pas mesazheve që Kyriakos Mitsotakis dërgoi në Turqi gjatë pranisë së tij në TIF gjatë fundjavës. Kyriakos Mitsotakis i quajti “të papranueshme” deklaratat e fundit të Rexhep Tajip Erdogan, duke shtuar se “agresioni i vazhdueshëm i të gjithë establishmentit politik turk është jashtëzakonisht problematik”.

Raportet mes Turqisë dhe Greqisë u tensionuan sërish pas një incidenti të regjistruar në ujërat detare në zonën kufitare mes dy shteteve. Një anije turke është qëlluar me të shtëna paralajmëruese pasi po lëvizte në zonat ujore greke pranë Lesbos.

Kapiteni i anijes “Anatolian” kishte refuzuar më parë kërkesën e autoriteteve greke për kontrollin e anijes. Mjeti më pas lundroi në ujërat e afërta turke, sipas qendrës së rojeve bregdetare greke, por pala turke jep një tjetër version të ngjarjes.

Sipas mediave turke “Anatolian” është qëlluar njëmbëdhjetë milje detare larg ishullit turk Bozcaada, në ujërat ndërkombëtare. Autoritetet turke thonë se dy anijet greke të përfshira në këtë incident nuk i kanë respektuar ligjet ndërkombëtare. Sipas televizionit shtetëror turk TRT, anijet greke janë larguar nga vendi i ngjarjes kur rojet bregdetare turke kanë mbërritur atje.

Roja bregdetare turke shoqëroi “Anatolianin”, i cili lundronte nën flamurin e Komorës. Zyra e prokurorit vendor ka nisur hetimet për ngjarjen. Marrëdhëniet mes dy partnerëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, janë në një pikë të ulët për shkak të konflikteve të shumta.

Të dy vendet akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të hapësirës ajrore. Turqia është e zemëruar edhe për militarizimin e ishujve grekë në Egjeun lindor. Përveç kësaj, ka mosmarrëveshje të përsëritura edhe për shkak të shpimeve në kërkim të gazit në Mesdhe nga autoritetet turke. Në këtë rajon lëvizin shumë anije që sjellin emigrantë të paligjshëm nga Turqia në Greqi ose Itali. Roja bregdetare greke kontrollon pothuajse çdo anije që lëviz në mënyrë të dyshimtë në detin Egje.

Advertisement