Politike
U akuzua për shit-blerje votash, Ndreu: Nuk flas pa prova
Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Lezhës, Pjerin Ndreu, ka theksuar se është me rëndësi që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje. Teksa e cilësoi një proces me disa probleme me pajisjet, ai u shpreh optimist se kjo ditë do jetë e qetë dhe me reflektime për të zgjedhur kryetarin e bashkisë.
“Deri tani procesi ka qenë i qetë, ka pasur disa probleme me pajisjet por që e ka zgjidhur KQZ-ja. Gjithçka ka shkuar dhe do të shkojë e qetë, është një ditë që qytetarët duhet që të votojnë pasi është një ditë që ato e kanë të shenjtë. Ato do të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë, dhe mendoj se gjithkush duhet që të votojë”, tha Ndreu.
Ai u është përgjigjur dhe akuzave nga pala kundërshtare për shit-blerje votash. Ndreu tha se nuk mund të flasë për palën kundërshtare pa patur prova, por e cilësoi këtë lëvizje si një tentativë pasi janë humbës.
“Kam dëgjuar akuza nga fillimi në fund, kam shumë për palën kundërshtarëve por pa pasur prova nuk do të them asgjë, nuk e kuptoj këtë pse e bëjnë. Mos është ndonjë alibi për humbjen apo se di, por nuk është normale që të hidhet vrer në ditën e votimit”, tha ai