Aktualitet
U dërgua me urgjencë në spital/ Nuredin Dumani shtrohet në reanimacionin e kardiologjisë në QSUT

Detaje të reja janë mësuar lidhur me gjendjen shëndetësore të Nuredin Dumanit. Bëhet me dije se i penduari i drejtësisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të prokurorisë në vitet e fundit ndodhet nën kujdes intensiv në reanimacionin e kardiologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, pas problemeve të shfaqura me zemrën.
Dumani, i cili u shoqërua me urgjencë mbrëmjen e kaluar nga ambientet e paraburgimit 313 ku mbahet në izolim, po i nënshtrohet një sërë analizash të specializuara për të vlerësuar gjendjen e tij të plotë shëndetësore.
Gjithashtu mjekët dhe autoritetet po verifikojnë çdo pistë të mundshme, përfshirë edhe dyshimet për një tentativë kriminale ndaj tij, siç mund të jetë një helmim i mundshëm. Masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm, ndërsa analizat e thelluara pritet të japin një përgjigje të qartë për shkaqet e gjendjes së tij.

