Kronike
U dhunua nga nusja e djalit, 61-vjeçarja: Policia nuk reagoi
Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë ku një 61-vjeçare përfundoi rëndë në spitalin e Traumës, pasi u dhunua nga nusja e djalit.
Familjarët e gruas nga Dimali jashtë kamerave pretendojnë se edhe pse ajo ishte pajisur dy herë me urdhër mbrojtjeje, ky konflikt nuk është mbajtur në monitorim nga struktura e Postës së Policisë së Dimalit si edhe nga policia e Beratit. Familjarët pretendojnë se policia e Beratit nuk i është përgjigjur për ndihmë telefonatave te 61-vjeçares.
“Dhuna që më bëri nusja dhe jam në gjendje kritike për jetën, dua të marrë dënim policia e Dimal dhe e Beratit që nuk mund gjend pranë. Më kanë sjellë nga Berati në Tiranë dhe jam këtu dhe prapë nuk dihet jeta pasi jam rëndë”, tha 61-vjeçarja.
Vëllai i 61-vjeçares më datë 7 tetor ka bërë ankesë në AMP për punonjësit e policisë së Beratit dhe të Postës së Policisë së Dimalit për mosreagim dhe moskryerjen e veprimeve për trajtim konflikti.
Në ankesën në AMP, familjarët e 61-vjeçares pretendojnë se me 5 shtator ajo ka shkruar në policinë e Beratit të bëjë denoncim për dhunën e ushtruar nga nusja dhe se kjo e fundit e ka kërcënuar se do ta vriste, por policia nuk i ka marrë denoncimin dhe i kanë thënë të shkojë në stacionin policor të Dimalit. Të nesërmen me 6 shtator, 61-vjeçarja ka shkuar të bëjë denoncimin në stacionin policor të Dimalit, por as aty nuk i kanë marrë denoncimin. Pas një muaji më datë 6 tetor 61-vjeçarja ka shkuar sërish të bëjë denoncim, por edhe këtë radhë policia nuk ia ka marrë denoncimin. Të nesërmen e 6 tetorit 61-vjeçarja thotë se u dhunua barbarisht nga nusja e djalit, dhe prej 4 ditësh ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, ku tashmë ka nevojë edhe për gjak.
“Unë kam nevojë për gjak, duhen lekë për gjak, nuk ka ku ti gjej, jam familje e varfër, jemi fukarenj”, e mbyll fjalën e saj 61-vjeçarja.