Connect with us

Kronike

U dhunua për vdekje, nipi i viktimës: Rasti i dytë

Çaush Shehaj, 89-vjeçari i cili ra pre e grabitjes me armë ditën e djeshme në banesë, humbi jetën sot në spital. I moshuari, u grabit nga Ervis Halimi dhe Musa Gudo, të cilët tashmë janë vënë në pranga. Për mediat, i afërmi i viktimës, ka treguar se kjo ishte hera e dytë që 89-vjeçari binte pre e grabitjes. Ai shton se Shehaj nuk kishte shumë para, e se jetonte vetëm me gruan, pasi 4 fëmijët banojnë jashtë shtetit.

‘Jetonte me gruan, fëmijët i ka jashtë vendit, e vranë në shtëpi për t’i marrë paratë. Nuk kishin përkrahje, kjo është hera e dytë që shkojnë për ta vjedhur, policia nuk mori masa. Ata mendonin për lek të madh po nuk kishte. Ai kishte 4 fëmijë, 3 në Greqi dhe një në Francë.‘- tha i afërmi.

Nipi i tij, nga ambientet e spitalit shprehet se kjo është hera e dytë që i moshuari grabitet dhe sipas tij, nga i njëjti person.

Çaush Shehaj u grabit ditën e djeshme në banesën e tij në fshatin Klos. Dy autorët, Ervis Halimi dhe Musa Gudo, u futën me dhunë në banesën e të moshuarit, e nën kërcënimin e armës i morën një shumë parash. I moshuari, u dërgua në spital, mirëpo nuk mundi t’i përballonte dot plagët e marra. Autorët do të hetohen për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Advertisement