Connect with us

Aktualitet

U dyshuan si bashkëpuntorë të vrasjes së Nikulajt, lirohen turistët

Vrasja e biznesmenit të njohur Ardian Nikulaj ende s’ka autor. Kur kanë kaluar disa ditë nga ekzekutimi, grupi hetimor ende s’ka pikasur autorin, i cili dyshohet se ishte i paguar. Teksa hetimet vijojnë, mesditën e sotme policia gjeti makinën dhe shoqëroi 2 turistë të huaj të cilët thanë se kanë marrë një shtëpi me qira në Kukel dhe nuk kishin lidhje me ngjarjen. Por, pas intervistimit ata u lanë të lirë, pasi u konfirmua se nuk kishin lidhje me ngjarjen.

Anglezi që është vënë nën hetim nga Policia e Shtetit dyshohet se ka shërbyer si informator. Në dëshminë e dhënë përpara grupit hetimor, pronari i hotelit në Shëngjin, ku qëndroi anglezi, ka thënë se pas ngjarjes ai është larguar menjëherë dhe ka thënë se nuk do të kthehet më kurrë në Shqipëri.

Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19 prillit kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Autori, siç u pa nga pamjet, mbante një maskë kirurgjikale, skafandër dhe jelek fosforeshent. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja.

Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën. Deri më tani raportohet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Dy prej tyre kanë marrë pjesë si vëzhgues, ndërsa një ka qenë organizatori.

Advertisement