Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Rrëshenit paraditen e sotme, ku 59-vjeçari Martin Bardhi Marku, u ekzekutua ndërsa po pinte kafe me miqtë e tij në lokal.
Ntv.al, ka siguruar foton e 59-vjeçarit i cili u vra brenda në lokalin e tij, ndërsa pak kohë më parë kishte dalë nga burgu.
Bardhi ndodhej në lokalin e tij në qendër të Rrëshenit, në prani edhe të disa miqve dhe të afërmve, kur dy persona të maskuar, kanë zbritur nga një automjet tip Jeep dhe janë afruar në drejtim të objektivit, ndaj të cilit kanë lëshuar breshëri të shtënash.
Plumbat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Bardhit, ndërsa 3 personat e tjerë mbetën të plagosur. Ata u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore.
Atentati zgjati vetëm pak sekonda. Me të zbrazur breshëritë, autorët u larguan. Makina e përdorur prej tyre u gjet e djegur në fshatin Gëziq të Mirditës.
Mjeti i llojit “Jeep Cherokee” ngjyrë e zezë, për të cilin po kryen verifikime se kujt i përket dhe nëse është denoncuar e vjedhur, është djegur plotësisht.
Martin Bardhi ose Marku, është person i njohur për autoritetet, teksa në muajin mars të këtij viti bashkë me djalin dhe nipin e tij u përfshinë në një konflikt me armë zjarri në dalje të qytetit të Rrëshenit.
59-vjeçari u arrestua dhe sipas informacioneve kishte fituar lirinë në rrethana ende të paqarta disa kohë më parë, teksa në kërkim ishte djali dhe nipi i tij.
Drejtori i Policisë së Lezhës, Alfred Elezi, tha për mediat se hetimet janë në fazën e parë dhe po sqarohen konfliktet që fisi Bardhi ka pasur me fise të tjerë.
“Jemi akoma në fazën e parë. Dihen konfliktet që ka pasur fisi Bardhi me fise të tjera dhe po punojmë për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve”, tha ai.
Policia tha se kishte nxjerrë në terren forcat speciale RENEA dhe FNSH, duke vendosur postblloqe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës. Gjithashtu Policia njoftoi se po ushtrohej kontroll edhe nga ajri, përmes helikopterëve dhe dronëve, ndërsa disa ora pas krimit ende nuk ka të ndaluar ose identifikim të autorëve.