Aktualitet
U gjet i varur në pemë, bashkëfshatarët: Jetonte pa drita, pa ujë
Në shtëpinë e Fatos Çollakut, në Rrajcë të Prrenjasit, mbizotëron heshtja. Në këtë zonë nuk e kanë për zakon që të vdekurit t’i qajnë me zë. Motra e Fatosit, 48-vjeç, Maria, po e vuan humbjen e të vëllait, ashtu në heshtje. Ka mbetur e vetme. I vëllai ishte i vetmi person që ajo kishte në këtë jetë.
Fatos Çollaku, në datën 9 gusht, i dha fund jetës së tij, duke u vetëvarur në një peme. U gjet nga bashkëfshatarët e tij. Por kush ishte 48-vjecari Fatos Çollaku? Si e njihnin atë, banorët e fshatit?
Familjes së Fatosit, vazhdimisht i është prerë energjia elektrike, për shkak të pamundësisë për ta paguar.
Bashkëfshatarët e Fatos Çollakut, thonë se përveç prerjes së dritave, të cilat ata tregojnë se ia kanë lidhur vetë pas ngjarjes, kësaj familjeje i është ndërprerë edhe uji i pijshëm.
Sipas tyre edhe frigoriferi që ka kjo familjeje, nuk është në gjendje pune.
“Ai një dritë kishte, as lavatriçe, as frigorifer… Një natë para ngjarjes, nuk kishte drita! Kur i prenë ujin para dy javësh, u mërzit shumë”, rrëfejë banorët të pikëlluar.
Por OSHEE në një reagim pas ngjarjes, deklaroi se në asnjë moment kësaj familjeje nuk i është ndërprerë energjia elektrike. Sipas këtij institucioni lajmet e përhapura ishin jo të vërteta, dhe se kjo ngjarja po përdorej politikisht. Por bashkëfshatarët e Fatos Çollakut, thonë se përveç prerjes së dritave, të cilat ata tregojnë se ia kanë lidhur vetë pas ngjarjes, kësaj familjeje i është ndërprerë edhe uji i pijshëm.