Connect with us

Kronike

U kap me kanabis në makinë, bie në pranga 30-vjeçari

Një 30-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Tiranë për trafik kanabisi. Mësohet se 30-vjeçari u kap me 1.6 kg kanabisi në makinë. Ndërkohë që në kërkim është shpallur dhe bashkëpunëtori i tij 35-vjeç, i cili ka thyer masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë Finalizohet operacioni policor i koduar “Transportimi”, për goditjen e shpërndarjes së lëndës narkotike kanabis. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë. Sekuestrohet një pako me lëndë narkotike kanabis, me peshë totale 1 kg e 600 gramë. Arrestohet në flagrancë 30-vjeçari që po transportonte pakon me lëndë narkotike, me automjet. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transportimi”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A. E., 35 vjeç, banues në Fushë Krujë. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar, në rrugën “Irfan Tomini”, automjetin me drejtues shtetasin G. D. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 1 kg e 600 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi A. E., 35 vjeç, bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 35-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Vijon puna për kapjen e tij. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement