Politike
U përjashtu nga vetingu, ja kur do të mblidhet KLP për Alfred Ballën
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet më 27 Maj për të marrë vendimin për kreun e këtij institucioni, Alfred Ballën.
Ky i fundit, me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) u përjashtu për 15 vite nga sistemi i drejtësisë, e për pasojë “nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm”.
Alfred Balla është zgjedhur në vitin 2018 si anëtar i KLP-së, dhe në mars të 2022, u zgjodh në krye të “qeverisë së prokurorëve” me një mandat dy vjeçar. Ndërkohë, mandati tij si anëtar ka përfunduar që prej dhjetorit të vitit të kaluar, por procedurat për përzgjedhjen e 3 kandidatëve jo magjistratë u zgjatën përtej afateve.
Ndonëse për shkak të detyrës si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ai konsiderohej subjekt i procesit të rivlerësimit kalimtar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) organizoi shortin për caktimin e trupit gjykues për rastin e tij në fund të dhjetorit të vitit 2021. Trupës iu desh më pas 1 vit e gjysëm për të vlerësuar nëse ai e gëzonte statusin e magjistratit e për pasojë të përcaktonte nëse do të duhej që ai t’i nënshtrohej ose jo, të ashtuquajturit proces të Vettingut. Përfundimisht në qershor të 2023-it, KPK-ja mbylli procesin e rivlerësimit ndaj Alfred Ballës, pa një vendim përfundimtar, duke konstatuar se ai e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte liruar nga detyra me vendim të kryetarit të Gjykatës së Lartë në korrik 2017.
Vendimi i KPK-së, u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa, sipas të cilit, përkundër pretendimeve se me lirimin nga detyra në Gjykatën e Lartë, është humbur dhe statusi i magjistratit, vetë Balla kishte ndërmarrë beteja ligjore që atij t’i njihej ky status, si përmes një padie në Gjykatën Administrative ashtu dhe me një kërkesë drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Ndërkohë, pavarësisht vendimit të vetingut, Alfred Balla pretendon se statusi i tij aktual në KLP është si i zgjedhur nga Kuvendi nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat. Sipas tij, për këtë shkak , ai pretendon se duhet ta ushtrojë ende detyrën në KLP.