Politike
U rrëzua kërkesa e SPAK për Ballukun/ Bardhi: Kundra drejtësisë dhe kundra shqiptarëve
Ka ardhur dhe reagimi i kreu të Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi këtë enjte lidhur me votimin e refuzimit të kerkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Bardhi ka thënë se rrëzimi i kryer nga mazhoranca për kërkesën e SPAK është për të mbrojtur Edi Ramën.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Prej sot, mazhoranca e Edi Ramës është zyrtarisht kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë.
Ata votuan sot kundër SPAK-ut për një arsye të vetme: për të mbrojtur Edi Ramën dhe për t’i vendosur drejtësisë vijën e kuqe se deri ku lejohet të hetojë.
Për 10 vjet Edi Rama u tha shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se askush nuk është mbi ligjin, por sot provoi të kundërtën.
Prandaj, problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e provave për korrupsionin e Belinda Ballukut. Problemi është një kryeministër që pengon drejtësinë për një hetim të shpejtë dhe të pandikuar nga pushteti.
Integrimi europian matet me mënyrën si trajtohet korrupsioni në pushtet dhe me mënyrën si veprojnë institucionet për të mbrojtur ligjin. Sot Edi Rama dha përgjigjen më të keqe të mundshme: mbrojti korrupsionin dhe shpalli fajtore drejtësinë