Connect with us

Politike

U thirr në SPAK pas SMS-ve shantazhuese, reagon Bardhi

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi do të paraqitet mesditën e sotme (2 Tetor) në SPAK, ku është thirrur në lidhje me denoncimin që ka bërë në Prokurorinë e Posaçme lidhur me disa mesazhe që i kanë mbërritur në aplikacionin Signal nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog”. Gazment Bardhi, nga selia e PD-së, ku u zhvillua mbledhja e Grupit, është shprehur se ky është një akt intimidues ndaj tij me dokumente të sajuara dhe që nuk ekzistojnë.

Ai u shpreh se ka shprehur gatishmërinë për t’i vendosur në dispozicion SPAK telefonin w tij dhe do të paraqitet “për këtë veprim hetimor të nevojshëm”.

“Siç e dini të hënën kam bërë publike një akt intimidues ndaj meje me dokumente të sajuara dhe që nuk ekzistojnë. SPAK është vënë në lëvizje që atë ditë, kam shprehur gatishmërinë për ti vendosur në dispozicion telefonin tim, do të paraqitem për këtë veprim hetimor të nevojshëm”, tha Bardhi.

Gazment Bardhi, në letrën dërguar Prokurorisë së Posaçme më 30 Shtator, shprehet se mesazhet janë një tentativë për ta intimiduar në ushtrimin e detyrës time si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

“Përmbajtja e mesazheve të dërguara, sajimi i rrethanave dhe fakteve të pandodhura, ndërlidhja e emrit tim me individë krejtësisht të panjohur prej meje, synon frikësimin tim për të mos përballur me fakte konkrete të paligjshmërisë subjekte të posaçme apo eksponentë të krimit të organizuar, që janë nën hetim apo verifikim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, theksoi ai.

Në SMS-së dërguar kreut të Grupit të PD-së, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës dërguar në SPAK, shkruhet: “Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”.

Advertisement