Shkrime
Udhëkryq nga protestat në Serbi e Tiranë, i pari bie Vuçiç e më pas sozia e tij Edi Rama

Tashmë Serbia ndodhet në udhëkryq. Në fakt politika serbe në raport me komunitetin ndërkombëtar, Lindje dhe Perëndim, prej se ka ardhur në pushtet Vuçiq ndodhet në udhëkryq. Nëse Shqipëria e Ramiz Alisë kishte shpallur pozicionin “As Lindje, as Perëndim”, që do të thoshte izolim, Serbia e Aleksandër Vuçiq ka shpallur politikën e marrëdhënieve të baraslarguara me Lindjen dhe Perëndimin. Që do të thotë të qëndronte në udhëkryqin e historisë, pa një qasje të definuar. Pra edhe me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, edhe me Rusinë dhe Kinën. Ose pa asnjërën prej tyre. Në vend të një zgjedhjeje për rrugë-dalje nga krizat, një politikë e tillë zgjoi dyshimet e të dy palëve në kundërshti gjeopolitike midis tyre.
Ngjarja në stacionin e trenit të Novi Sadit ishte pasojë e kësaj politike në udhëkryq. Kjo politikë diktoi krijimin e një regjimi autoritar e kleptokrat. Presidenti i Serbisë është akuzuar para disa vitesh për bashkëpunim më banda kriminale, të cilat kanë zhdukur njerëz në vaskat acidike. Mbështetja e tij për kryeterroristin e Banjskës në veri të Kosovës, Milan Radoiçiq, është një prej episodeve të karakterit kriminal të një presidenti autoritar, që për “vëlla” në këtë lloj bashkëpunimi ka në rajon vetëm Edi Ramën.
Aktivizimi i paraushtarakëve në Serbi është praktikë e njohur, sidomos në luftërat serbe kundër popujve jo serbë të Ballkanit. Me këtë lloj praktike qeverisja serbe ka mundur të relativizojë përgjegjësinë e saj për gjenocidin e shkaktuar sidomos në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë. Ndoshta Vuçiq është i pari lider serb që këto forca po i përdor për pushtetin e tij, madje më shumë se sa ish-kasapi i Ballkanit, Sllobodan Milosheviç. Kjo e bën Serbinë një fushë-beteje të luftës civile. Ndoshta këto metoda Viçiq po i përdor si i mbyturi që kapet pas një fije kashte. Por nëse nuk menaxhohet situata, atëherë ka shumë mundësi që palët të përgjaken. Intoleranca dhe vënia e interesit të pushtetit mbi gjithçka ka si përfundim luftën civile. Vuçiq gjithnjë ka kërcënuar në emër të kushtetutës, rendit, sigurisë dhe luftës kundër “armiqve të brendshëm e të jashtëm”!
Dhe në fakt po i vijnë në ndihmë disa lëvizje në veri të Serbisë, ku psh jeton edhe një pakicë sllovake, apo në Vojvodinë e Sanxhak. Aty po shfrytëzohet kriza për të kërkuar më shumë liri, deri te pavarësia e tyre. Lugina e Preshevës duket në pritje të zhvillimit të ngjarjeve, por edhe ajo ka aspiratat e saj. Këtë situatë tensioni edhe te minoritetet, Vuçiq ka mundur ta shfrytëzojë në dobi të zgjatjes së pushtetit të tij, por jo me aq sukses. Ai tashmë gjendet në një pozitë të pashpresë. Ose do të ndezë zjarrin e një lufte civile, ose do të largohet sa më parë nga pushteti. Në fakt në të dy rastet ai është i mbaruar. Dhe në të dy rastet do të gjendet para drejtësisë. Nëse parandalohet lufta civile, akuzat për të do të jenë në adresë të bashkëpunimit të tij në korrupsion me bandat kriminale serbe brenda dhe jashtë vendit. Njësoj siç do të ndodhë më pas me sozinë e tij në Tiranë, Edi Ramën!

