Shkrime
Ujërat e turbullta në parlament
Nga Plator Nesturi
Nisja e sesionit të ri parlamentar çdo fillim shtatori është një moment reflektimi ku merret në analizë çka është bërë mirë apo keq nga sesioni i mbyllur, por dhe si mund të adaptohen forcat politike parlamentare për të qenë sa më të sukseshme politikisht e elektoralisht në periudhën e kapërcyellit shtator – korrik të vitit pasardhës. Mbi këtë bazë bëhen strategjitë, objektivat politike dhe temat kryesore të angazhimit politik. Në vështrim të parë, duke marrë parasysh se ky sesion do të përfshije dhe betejen elektorale të zgjedhjeve vendore në pranverën e vitit të ardhshëm, dy ka betejat kryesore e që do të jenë më në vëmendje të debatit politik pritet të jenë kodi i ri zgjedhor dhe reforma territoriale. Iniciativat e tjera ligjore, qofshin këto dhe me ndjeshmëri e qëndrime të ndryshme, më së tepërmi janë pjesë përbërëse e korpusit ligjor që parlamenti duhet të përmbushë në përputhje dhe me prerogativat që dalin në jetën e interesat e vendit. Këto ligje specifikë, përfshirë këtu dhe rregullimet për ligjin aktual të dosjeve, mund të kenë sensibilitet të ndryshëm tek subjekte te veçanta ndoshta në funksion të fatit politik të liderëve të tyre, por që në vetvete nuk kanë peshën e ndryshimeve të forta e me peshë për opinionin publik.
Por ky shtator nuk paraqet një situatë normale. Madje parlamenti në këtë sesion nis në ujëra shumë të turbullta. Ende nuk kemi të formësuar një hartë të shpërndarjes së vendeve në Kuvend që ti korrespondojnë forcave politike. Në të kundërt parlamenti është i tejmbushur me deputetë jetimë. Disa janë jetimë se nuk kanë parti por kanë grup parlamentar, të tjerë kanë parti por pa një grup ku të përfaqësohen. Madje kemi dhe deputetë aq jetimë sa nuk kanë as parti dhe as grup parlamentar. Duke iu referuar forcës më të madhe të opozitës, PD-së, vërehet se numri i tyre, pavarësisht se nga zgjedhjet parlamentare siguroi 61 vende, tashmë numëron rreth 26 deputetë. Pjesa tjetër mburren se kanë partinë ose janë në drejtim të paditur. Që këtu, ndërsa parlamenti nisi rrugëtimin e tij, shtrohen pyetje që aktualisht mbeten pa përgjigje. Me sa grupe do të përfundojë sesioni në fund të korrikut. Do të ketë dy grupime nga ish PD e dikurshme dhe si do të orientohen ndaj njëra tjetrës dhe si ndaj maxhorancës? Forca e re politike, PL do të ketë një grup të saj apo do të mbeten marinarë pranë brigjeve të detit? Po deputetët e partive aleate si do të pozicionohen me këtë kaos opozitar ku palët akuzojnë njëra tjetrën se janë në shërbim të maxhorancës?
Nga secila anë të kthesh, qoftë edhe më optimisti, thjesht do të konstatojë se opozita vijon të jetë në një krizë të thellë dhe se i duhet kohë të ridimensionohet e të gjejë vetveten. Në kushtet kur në sfond janë dhe zgjedhjet vendore, kjo e bën situatën edhe më pikante, kur dihet se eksperimenti i 6 marsit rezultoi një dështim total në mbështetjen elektorale. Fakti që kemi të bëjmë me dy realitete politike Brenda partisë më të madhe të opozitës, nuk mund të zhbëhet as duke imponuar agresivitet e forcë ndaj kundërshtarëve, dhe as duke e injoruar si pjesë të shitur tek maxhoranca dhe peshë relevante. Nëse gjatë gjithë gushtit Berisha trysnoi fort në konferenca të përditshme për të dëshmuar se PD është ai dhe kushdo tjetër ish pa peshë e pa vlerë politike, shtatori dëshmoi ndryshe. Berisha mori dhe vendimin se e kish larguar Alibeajn nga kryetar grupi, madje caktoi dhe një emër të ri në atë post, porse kjo nuk zhbëri dot faktin që Alibeaj u rikonfirmua nga një shumcë e dallueshme deputetësh dhe se grupi i tij shtohet dhe me dy të tjerë, që ishin pasivë në parlamentin e korrikut.
Në të gjitha rastet do të kemi një opozitë që do të operojë me dy platforma krejt të kundërta. Nga njëra anë ajo çfarë quhet grupi zyrtar parlamentar i PD kërkon që luftën e vet opozitare ta bëjë në parlament, pra në institucionet ku ushtrohet veprimtaria politike. Ndërsa grupi i Berishës kërkon që ta zbresë betejën politike nga institucionet, nëpër rrugë. Strategjia e protestave në vetvete shpreh dhe dobësinë e saj. Dëshmon që Rithemelimi ka kuptuar që nuk ka forcë dhe peshë për të ndikuar në betejën parlamentare, ndaj kërkon të imponohet nga trysnia e rrugës. Pavarësisht deklaratave se do të rrëzojnë Ramën me anë të protestave, gjë e cila vetë mbështesit e Rithemelimit nuk e çojnë dot në mendje as si ide fluturake që mund të realizohet, në fund të saj dëmi i shkaktuar do të jetë në dëm të vendit por dhe të vetë opozitës. Nëse në pranverë ka zgjedhje, aty është vendi më i mirë për të matur forcat dhe për të parë besimin e elektoratit. Në fund të fundit vetë Berisha rrëmbeu kreun e PD pikërisht me formulën se vota është e shenjtë dhe pse ai gëzon shumicën e votave është në të drejtën e tij t’i mbivendoset rivalëve dhe partisë. Protesta nuk e temperojnë opozitën, por thjesht do t’iu shterojnë energjitë që mund ti përdorte për fushatën zgjedhore dhe rikthimin e elektoratit. Ky lloj padurimi për t’iu drejtuar rrugës duket sikur do të shmangë atë çfarë duket e pashmangshme në këto rrethana, një rezultat në vijimësi humbës e që do vërtetojë se cikli i krizës brenda opozitës është ende në apogje. Në fund të fundit, një opozitë që nuk arrin të rreshtohet së bashku brenda një sallë parlamentare, vështirë të jetë frymëzuese e të krijojë besim në zgjedhjet e pritshme