Connect with us

Politike

Ujku nuk voton

Nga Lutfi Dervishi

Ujqit, këto bisha krenare të pyllit, nuk lejojnë kurrë që t’u prijë një idiot. Në çdo tufë, në çdo mal, në çdo stinë, ujku është ujk: i egër, i mençur, i lirë. Nëse lideri s’vlen, nuk ka nevojë për protesta, as për peticione. Ai e di vetë kur duhet të tërhiqet dhe nëse nuk e bën, e bëjnë ata që e kanë ndjekur.

Por me njerëzit është ndryshe. Me popullin është krejt ndryshe… Kjo krijesë mistike duron gjithçka: dimrin, verën, premtimet, zhgënjimet, dhe më së shumti… idiotët.

Nuk ka rëndësi a është bariu me diplomë, a ka qumësht në bidon, a di të numërojë delet që ka, a po i shtohen apo pakësohen delet – mjafton të ketë shkopin në dorë dhe… populli ecën.

Mjafton që bariu tund shkopin dhe populli marshon. Nën diell, nën shi, me çizme, pa çizme, gjithmonë përpara… drejt humnerës, por me stil.

Ujqit, po e nuhatën që lideri i tyre s’di ku e ka bishtin, nuk i ndjekin më. E hanë të gjallë.
Populli është ndryshe. Populli voton, duartroket, e ngre në qiell, i bën like, i jep mandate pas mandatesh.

Ndërrojmë liderin?

Jo, më mirë të ndërrojmë kontinentin ku jetojmë!

Kërkojmë llogari?

Më mirë të kërkojmë azil.

Të ngremë zërin?

Jo, zëri na duhet për të brohoritur në mitingje.

Ujku s’ka nevojë për zgjedhje. Ai ose udhëheq mirë, ose s’udhëheq fare.
Është populli ai që ka privilegjin e madh të zgjedhjes… dhe zgjedh të nënshtrohet!

Dhe ja ku jemi: një tufë që nuk kërkon më ujkun që i prin, por bariun që e tall shumë.

Ndaj, herën tjetër kur të përdorësh fjalën “kafshë” për të ofenduar dikë… kujdes: nuk e ofendon, por e komplimenton.

Kafshët nuk e votojnë të padobishmin.

Ai është privilegj vetëm i yni.

Advertisement