Kosova
Ulen tonet, shuhen tensionet/ Albin Kurti nga Vjena ka një kërkesë për Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës, ka kërkuar nga Serbia të lehtësojë procedurat e transitit për të huajt që destinacion të parë kanë Kosovën, duke shtuar se lehtësimi i procedurave është i domosdoshëm për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim ekonomik.
“Serbia duhet t’i lejojë të huajt, destinacioni i të cilëve është Kosova, që më pas të mund të shkojnë në Serbi. Fatkeqësisht, kushdo që vjen nga Austria në Kosovë, nuk mund të vazhdojë për në Serbi pa shkuar më parë në Maqedoninë e Veriut, sepse sipas pikëpamjes së tyre, hyrja e parë në Kosovë nënkupton hyrje të paligjshme në Serbi”.
Duke folur në edicionin e sivjetmë të iniciativës rajonale që ka në fokus kryesor bashkëpunimin ekonomik në mes të vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore, kreu i ekzekutivit kosovar ka prekur edhe çështjen e hapësirës ajrore, duke kërkuar nga Serbia lejimin e fluturimeve komerciale për dhe nga Kosova.
“Fluturimet nga Vjena në Prishtinë dhe anasjelltas mund të jenë shumë më të shkurtra dhe më pak të ndotura nëse Serbia i lejon aeroplanët komercialë të fluturojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë, destinacioni i të cilëve është Prishtina”, ka deklaruar ndër të tjera shefi i Qeverisë së Kosovës, në bazë të njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.
Ndryshe, avionët që aterojnë ose nisen nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, nuk mund të kalojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë tash e 25 vjet nga intervenimi humanitar i NATO-s. E hapjen e hapësirës ajrore, kryeministri Kurti e ka kërkuar edhe në mbledhjen e fundit të Samitit të Procesit të Berlinit në tetor 2024.