Aktualitet
Ulet numri i lindjeve/ INSTAT: Popullsia e Shqipërisë u zvogëlua
Shifrat e lindjeve për tre mujorin e parë të vitit nuk janë optimiste pasi kanë shënuar një ulje prej 16.9% ose ndryshe 1050 lindje më pak se tre mujori i parë i 2022-shit.
Kjo ka bërë që shtesa natyrore e popullsisë të jetë negative me 393 vdekje më shumë se lindje.
Shqipëria po shkon drejt plakjes. Sipas të dhënave nga INSTAT në vendin tonë numri I vdekshmërisë është më I lartë se ai ardhjes në jetë të fëmijëve. Për tre muajt e parë të vitit ky numër ka shkuar në 5164. Kjo është ulja më e madhe e lindjeve që është shënuar në vitet e fundit në vendin tonë.
“Kur flasim për faktorët socialë kemi atë që në i themi pasiguria ekonomike e të ardhmes, pasiguria e një vendi pune që të lejon disa të ardhura më shumë, por mbi të gjitha edhe dëshira për tu larguar për efekt të globalizimit tashmë që ka prekur të gjithë botën . Lëvizja e të rinjve është një element që ndikon në numrin e lindjeve brenda vendit”, tha Arjana Muça.
Të gjitha qarqet kanë shënuar ulje të numrit të lindjeve, por qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me vetëm 77 lindje. Në një aspekt më pozitiv është qarku Tiranës me 1.939 lindje.
Një nga arsye se përse ka rënë numri i lindjeve është sigurimi i një banese. Çmimet e lartë të shtëpive mbajnë peng shumë çifte të reja të cilat duan të krijojnë familje, por e kanë të pamundur përballë të ardhura mujore që ata sigurojnë.
“Mirë është që të ketë disa politika që kanë lidhje me atë që ne qujamë mos ikja dhe largimi i të rinjve nga vendi për t’i krijuar kushte dhe hapësira punësimi dhe aq më tepër për tju dhënë atyre mundësinë për të kontribuar në Shqipëri, që ata të japin atë që kanë përfituar nga ana profesionale. Dhe aq më tepër do të thosha strehimi social është një nga kushtet dhe elementët shumë herë më të rëndësishëm për sa i takon krijimit të familjeve të reja për të pasur strehëzën e tyre, sepse kjo është një anomali që të rinjtë sot e kanë të vështirë për të qëndruar në një lidhje apo për të krijuar një familje“, tha ajo.
Nga ana tjetër ndonëse për tre mujorin e parë të vitit vdekjet ishin më të larta se lindjet, ka pasur ulje edhe në numrin e vdekjeve në të gjitha qarqet e vendit.
Numri i vdekjeve është 5.557, duke shënuar kështu një rënie prej 31,6 %, krahasuar me tremujorin e parë 2022. Pavarësisht kësaj vlen për t’u theksuar se numri i vdekjeve kalon atë të lindjeve për herë të parë në një periudhë normale. Shifra të tillë u shënuan gjatë periudhës së pandemisë, ku Covid 19 mori mijëra jetë njerëzish.