Connect with us

Kosova

URA E SHERRIT mbi Ibër, kërkohet hapja por BE dhe KFOR duan dialog

Pa ndonjë incident të theksuar dhe nën kujdesin e Policisë së Kosovës e forcave të KFOR-it, qarkullimi i njerëzve nëpër Urën e Ibrit që ndanë Mitrovicën në dy pjesë ka vazhduar ndër vite. Megjithatë, ndonëse janë arritur dy marrëveshje në Bruksel e janë hartuar plane zbatimi, Ura e Ibrit vazhdon të mos jetë e hapur për qarkullimin e makinave. Kjo temë është riaktualizuar këto ditë, pas paralajmërimeve nga zyrtarë të ndryshëm se ajo do të hapet së shpejti.

Bashkimi Evropian ka reaguar duke thënë se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE në Bruksel.

Por cila është historia e Urës së Ibrit dhe e marrëveshjeve që janë nënshkruar për hapjen për qarkullim e që s’po zbatohen ende.

Në vitin 2014, ishte hartuar një plan nga BE-ja për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim me disa elemente. Sipas atij plani kërkohej respektim i Ligjit të Kosovës, realizimi i vlerësimit teknik të strukturës statike të Urës së Ibrit nga BE-ja dhe hartimi i një projekti për rivitalizimin.

Në mars të vitit 2015 për të arritur këtë qëllim, ishte larguar i ashtuquajturi “Parku i Paqes” dhe në vend të tij ishin vendosur disa barrikada betoni, të cilat përsëri vazhdonin ta pengonin lëvizjen e lirë.

Në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për hapjen e urës së Ibrit, ku parashikohej që ajo të hapej për trafik jo më vonë se fundi i qershorit 2016.

Me qëllim të bërjes progres, më 5 gusht 2016, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh me një plan implementimi me qëllim zgjidhjen e problemit të rivitalizimit të Urës.

Pavarësisht gjithë këtyre marrëveshjeve, ura kryesore nuk është hapur dhe vazhdon të jetë temë që po shkakton kokëçarje për Kosovën dhe BE-në edhe pas 8 vitesh.

Advertisement