Connect with us

Kosova

Urdhër arresti i INTERPOL-it s’mund ta detyrojë Serbinë të arrestojë Radoiçiçin

Bojan Ellek nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, ka thënë se Serbia nuk është e detyruar ta arrestojë dhe ekstradojë kryekriminelin serb, Millan Radoiçiç, edhe pse Agjencia Ndërkombëtare e Policisë Kriminale ka lëshuar fletarrest për sulmin e armatosur në pjesën veriore të Kosovës.

Ellek ka shpjeguar se urdhërarresti i INTERPOL-it është vetëm njoftim për vendet anëtare të organizatës kryesore në botë për luftimin e krimit, por ndonëse Serbia është pjesë e INTERPOL-it, sipas tij, nuk është e detyruar të ndërmarrë veprime për arrestimin dhe esktradimin e ish-nënkrytarit të Listës Serbe.

Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës. Serbia e kishte ndaluar politikanin dhe biznesmenin serb në fillim të tetorit, por ai ishte liruar vetëm një ditë më pas, duke iu ndaluar shkuarja në Kosovë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Serbia që përgjegjësit për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku ka mbetur i vrarë togeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, të dalin para drejtësisë.

Advertisement