Connect with us

Bota

Urdhër-arresti për Netanyahun/ Erdogan kërkon zbatimin e vendimit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sot se vendet që mbështesin Izraelin “po nxisin masakra, megjithëse flasin për demokraci apo të drejtat e njeriut”, dhe kjo po shemb besimin e publikut te sistemi ndërkombëtar.

Ai mirëpriti dhe mandat-arrestet e Gjykatës Ndërkombëtare për kryeministrin e Izraelit dhe ministrin e tij të mbrojtjes për krime kundër-njerëzimit, duke theksuar se “vendimi do të ishte çelës për të rikthyer besimin të sistemi ndërkombëtar”.

“Ne mendojmë se zbatimi i këtij vendimi të guximshëm do të ishte i rëndësishëm për të rikthyer besimin e njerëzimit te sistemi ndërkombëtar”, tha Erdogan në fjalën e tij në panairin ndërkombëtar NGO Fair, në metropolin Stamboll.

Duke vlerësuar urdhër-arrestet për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për ofensivën e tyre në Gaza, Erdogan shtonte se vendet që mbështesin Tel Aviv-in me armatime “po nxisin masakra,” edhe pse shpesh ato “mbajnë leksione” ndaj vendeve të tjera për demokracinë apo të drejtat e njeriut.

Ndërsa për mediat dhe organizatat ndërkombëtare Erdogan tha se “po bëjnë një sy qorr ndaj krimeve kundër njerëzimit” në Palestinë, Liban dhe vende të tjera.

“Gjaku i të plagosurve dhe të martirizuarve në Palestinë njollos jo vetëm vrasësit por dhe ata që nuk veprojnë për t’i ndaluar”, shtoi ai.

Ergodan përsëriti shpresën për një Palestinë të pavarur e sovrane, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet dhe kërkoi unitet nga bota islamike: “Nëse nuk zemrat nuk rrahin kolektivisht, nuk mund të ketë sukses kundër agresorëve dhe vëzhguesve”.

“Kjo është mënyra e vetme për të ndihmuar vëllezërit palestinezë e libanezë, si dhe motrat e vëllezërit në Sudan, Jemen dhe vende të tjera”.

Izraeli nisi ofensivën Gaza në kundërpërgjigje të një sulmi të Hamas tetorin e vitit të shkuar, ndërsa ka vrarë më shumë se 44,000 palestinezë në Gaza, e ka plagosur më shumë se 104,000.

Ai ka hapur gjithashtu luftën kufitare me Libanin në fund të shtatorit ndaj atyre që pretendon si objektiva të Hezbollah. Më shumë se 3,600 njerez janë vrarë atje deri tani, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, shkruan rrjeti shtetëror turk Anadolu.

Advertisement