Connect with us

Shkrime

Uria e pushtetit

Nga Artur Ajazi

Sali Berisha, doli sërish para mediave. Nuk harroi të akuzojë dhe përgojojë, ministra e kryeministrin. E ka zakon dhe dëshirë të hershme daljen para mediave, aq më tepër kur nuk ka pushtetin. Kur lindën piramidat “dallandyshet e para të kapitalizmit berishian”, ai dilte shpesh, dhe mburrte ato sikur të ishin “shpëtimi shqiptarëve”. Të gjithë e kujtojnë se si deklaronte, “janë para të pastra, asgjë nuk do të ndodhë”, dhe shqiptarët nuk lanë banesa, bagëti, troje dhe toka në fshatra, dhe i mbyllën tek miqtë dhe sponsorët e PD, Vefa, Populli, Xhaferri, Sudja e famshme, etj….. Dhe sërish Berisha dhe ish-ministri i tij i Financave Bode dilnin dhe deklaronin se “shteti ynë ka ligje, nuk ndodh asgjë me paratë tuaja”. Por shteti i tij kishte rënë, bashkë me piramidat dhe paratë e shqiptarëve u vodhën, trabnsferuan në banka të ndryshme të botës. Edhe sot e kësaj dite, askush nga ish-piramida e lartë pushtetore e asaj kohe, nuk është dënuar.

Ai ra me revolta popullore, iku nga pushteti dhe nuk hoqi dorë nga trazirat. I kishte ikur pushteti nga duart, edhe pse vodhi votat e 26 Majit 1996, apo dhe Tetorit të po atij viti. Rrahu në sheshin “Skenderbej” gjithë Partinë Socialiste, dhe sërish nuk u penalizua. Erdhi në pushtet pasi qeverisja e Fatos Nanos, i “nginj” me para dhe zullume, dhe sërish nisi lojën e vjetër. Skandale të padëgjuara, vjedhje, shitje trojesh dhe pasurish kombëtare, konçesione, dhe lloj-lloj gjërash bënte ish-kryeministri për të pasuruar vehten, klanin e tij qeverisës, dhe për të mbajtur me para njerëzit e protestave. Ai gjithmonë ka kërkuar pushtet, ka qenë dhe mbetet edhe sot që është në moshën e pensionit “faim de pouvoir”, i uritur për pushtet.

Eshtë i gatshëm të bëjë gjithçka për pushtet, pasi u mësua me male me para, pasuri, dhe ushtarë të bindur. Shqipëria ka 32 vjet që lëngon mbi trazirat e tij, mbi pengesat e tij të qëllimshme, ka 32 vjet që është në pritje të largimit të atij njeriu nga skena politike. Sali Berisha erdhi, trokiti dhe hyri në politikë nga “dritarja” e saj dhe jo dera. Askush nuk e mendonte se, njeriu që deri në 1991, ishte sekretari i organizatës bazë të partisë në spitalin e Tiranës, do të bëhej “demokrat”, do të pushtonte me forcë postin e kryetarit të së parës Parti Demokratike, dhe nuk do ti shkulej vendit për mbi 3 dekada. Ai nuk njeh largimin, dorëheqjen, ai nuk njeh kufirin, arsyen dhe logjikën e politikanit europianist. Ai është njeriu që ka patur, ka dhe vazhdon të ketë formimin marksist-leninist mbi gjithçka. “Pushtetin do ta kemi vetëm ne”-thoshte Stalini.

Ashtu mendon, shprehet dhe kërkon me ngulm edhe Sali Berisha sot, kur në Europë diktaturat kanë rënë, por jo ithtarët e tyre. Në Shqipëri pushtetin e merr me votën e lirë çdo parti politike, që bind dhe jo detyron popullin, me programe dhe alternativa progresiste, me frymë të re dhe shpresë të madhe. Partia Demokratike, e ka humbur shansin të bindë shqiptarët ta votojnë prej 1996. Ajo ka mbetur një “ishull i izoluar” në politikën shqiptare, me një kryetar të përjetshëm, që ka qenë dhe mbetet, “i uritur vetëm për pushtet”….

Advertisement