Kosova
Ushtria serbe 50 metra larg kufirit me Kosovën, reagon KFOR
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu fundjavën e kaluar shqetësimin për praninë e ushtrisë serbe, 50 metra nga kufiri me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një provokim të qartë. Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, ka reaguar edhe misioni i NATO-s në Kosovë.
KFOR-i sqaroi se ishte informuar paraprakisht nga Forcat e Armatosura të Serbisë për një aktivitet të zakonshëm patrullimi pranë vijës kufitare dhe se të njëjtat informacione i janë komunikuar edhe Policisë së Kosovës, e cila ka qenë në dijeni të situatës.
Misioni i NATO-s në Kosovë pohoi se monitoron rregullisht situatën përgjatë kufirit dhe se ky aktivitet patrullimi nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në gjendjen e sigurisë në rajon.
“KFOR-i është i pozicionuar mirë për të monitoruar rregullisht situatën përgjatë kufirit. Vlerësojmë se ky aktivitet i fundit i Forcave të Armatosura të Serbisë nuk ka përcaktuar ndonjë ndryshim të situatës së sigurisë në zonën në fjalë” – thuhet ne deklaraten e KFOR, I cili mban një prani të dukshme dhe fleksibël, si edhe monitoron nga afër situatën në mbarë Kosovën.
“Gjithashtu, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Serbisë. Zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”, thuhet njoftimin e KFOR.