Kosova
Ushtruan dhunë ndaj KFOR-it, ngrihet aktakuzë ndaj dy serbëve
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë kundër dy të pandehurve me inicialet S.J dhe I.S., të nacionalitetit serb, për veprën penale, pjesëmarrje në turmën që kreu veprën penale të huliganizmit.
Sipas një komunikate për media, të pandehurit kanë hyrë në Kosovë më 30 maj, përmes pikëkalimit kufitar në Jarinjë, dhe i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi kanë qenë në kontakt me pjesëmarrësit e turmës, që janë përleshur me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj në qytetin e Zveçanit.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se si pasojë e dhunës së 29 majit në Zveçan janë plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it.
Zveçani– bashkë me Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin dhe Zubin Potokun – janë komuna në veri të banuara me shumicë serbe.
Në komunikatë është thënë se i pandehuri I.S., akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të armëve, pasi në makinën që e ka drejtuar ai, janë gjetur dhe sekuestruar katër sprej dhe një sprej piperi.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë identifikuar dhjetëra serbë që dyshohen për shkaktimin e dhunës dhe të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
Paralajmërimet për arrestime dhe listat e rreme frikësojnë serbët e Kosovës
Deri më tani, Policia e Kosovës i ka arrestuar disa serbë për sulm ndaj institucioneve të sigurisë, të tjerë për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it, por edhe për sulme ndaj gazetarëve.
Autoritetet në Serbi, dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – kanë thënë se Qeveria e Kurtit synon dëbimin e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, edhe pse, nuk ka ndonjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.
Tensionet në atë pjesë të Kosovës janë të larta prej fundit të majit kur kryetarët e rinj shqiptarë kanë hyrë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit.
Shtensionimi në veri “në gjysmë të rrugës”
Më 10 korrik, Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës.
Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe ka thënë se do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.