Connect with us

Bota

Varfëria dhe lufta/ Shqetësimet e evropianëve

Kriza e kostos së jetesës e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, rritja e inflacionit dhe pandemia e koronavirusit është bërë shqetësimi më i madh për qytetarët e Bashkimit Evropian, sipas një sondazhi të ri të Eurobarometrit, sipas të cilit 45% e të anketuarit aktualisht kanë “disa” ose “shumë” vështirësi për të përballuar jetesën.

46% e evropianëve pranojnë se standardi i tyre i jetesës tashmë është ulur për shkak të krizës në rritje, ndërsa 39% presin rënie këtë vit. Vetëm 14% nuk ​​presin asnjë lloj ndryshimi apo ndikimi.

Vendet ku rënia e perceptuar është më e madhe janë Qipro, Greqi, Maltë, Francë dhe Portugali.

Në total, 93% e pjesëmarrësve në sondazh thonë se janë të shqetësuar për krizën e kostos së jetesës, duke përfshirë rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Varfëria dhe përjashtimi social, ndryshimet klimatike dhe shtrirja e mundshme e luftës së Ukrainës në vendet fqinje, gjithashtu shkaktojnë frikë tek qytetarët e BE-së. Në veçanti, pothuajse tre të katërtat e të intervistuarve rrëfejnë se janë të shqetësuar për “rrezikun e një aksidenti bërthamor”.

Megjithatë, shumica e evropianëve (57%) mbeten optimistë për të ardhmen e BE-së, krahasuar me 39% që e përkufizojnë veten si mjaft ose shumë pesimistë. Franca, Qiproja dhe Greqia janë tre shtetet e vetme anëtare ku një pikëpamje pesimiste përfaqëson opinionin e shumicës.

Advertisement