Bota
Varhelyi: BE humbi më shumë se pesë vjet në procesin e zgjerimit
Kemi humbur më shumë se pesë vjet në procesin e zgjerimit të BE-së, deklaroi komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi
”Ne kemi pasur një komision që i tha qartë jo zgjerimit dhe kjo ka pasur ndikim jo vetëm për rajonin, por edhe për vendet anëtare të BE-së”, theksoi ai teksa dhe u shpreh:
”Me luftën në Ukrainë gjërat kanë ndryshuar. Shtetet anëtarët shohin se është në interesin e BE-së për të integruar fqinjësinë sa më shumë sepse është kusht për paqe dhe siguri afatgjatë, shpjegoi Varhelyi duke theksuar se ”dosja e zgjerimit është një kryeprioritet edhe për ato shtete për të cilat nuk ka qenë deri tani”.
Varhelyi më pas u fokusua në temën e ndikimit në rajon të vendeve të treta si Kina. Duke kujtuar projektin ”Hekurudha e Korridorit X”, një nga investimet kryesore të Planit Ekonomik dhe Investues prej 30 miliardë eurosh të BE-së, komisioneri foli për “konkurrencë të fortë me Kinën, që kemi zëvendësuar”.
“Mesazhi është se oferta evropiane është gjithmonë më e mirë dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë”, deklaroi ai.
Gjatë vizitës së tij në Sofje, Varhelyi gjithashtu pati “një takim konstruktiv” me presidentin bullgar Rumen Radev, gjatë të cilit u diskutua ”si të shpejtohet zgjerimi i Ballkanit Perëndimor”.