Politike
Vatër zjarri/ Rama në NATO: E rrezikshme ç’po ndodh në veri të Kosovës
Kryeministri Edi Rama ka folur në samitin e NATO-s që po organizohet në Vilnius të Lituanisë, mbi tensionet e krijuara prej disa muajsh në veri të Kosovës, ku është shprehur se atje janë formuar grupe ekstremiste që paraqesin rrezikshmëri të lartë.
Gjatë bashkëbisedimit me Eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, Rama deklaroi se mund të ketë krijohet një vatër zjarri që do të kthehet në kërcënim për përhapjen e një konflikti më të gjerë në Rajon.
“Jam shumë i rehatuar nga fjala e presidentit Biden sot në Këshill, ku foli për këto tema. Problemi i Ballkanit Perëndimor sot, në lidhje me sigurinë, ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi, të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq e vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme.
Po ndodh diçka që është vërtetë shumë e rrezikshme me veriun e Kosovës, që mund të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim hapje të konfliktit.
Teksa për lehtësimin e dialogut, Bashkimi Europian po punon me të dyja palët, Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, që janë grupet ekstremiste në veriun e Kosovës” – theksoi kryeministri Rama