Bota
Vatikani në përgatitjet e fundit për funeralin e Papës

Vatikani po bën sot përgatitjet e fundit për funeralin e papës dhe ende nuk e ka publikuar tabelën zyrtare të karikeve.
Donald Trump pritet të ketë një ‘vend të nivelit të tretë’ në meshën mortore të Papa Françeskut Trump, i cili është mësuar të jetë në ballë të ngjarjeve botërore, nuk ka gjasa të ketë një pozicion të spikatur në caktimin e karikeve kur të mbërrijë në Bazilikën e Shën Pjetrit nesër në mëngjes.
Shumë nga 50 krerët e shteteve dhe 10 monarkët në fuqi do të jenë të pranishëm, por tradita sugjeron që përparësia për kariket në rreshtin e parë do t’u jepet mbretërve katolikë.
Personalitetet e huaja ka të ngjarë të ulen në një bllok të madh në njërën anë të arkivolit, përballë kardinalëve, patriarkëve, peshkopëve dhe kryepeshkopëve, raporton The Telegraph.
Familja mbretërore katolike do të ulet në rreshtin e parë, e ndjekur nga mbretërorët jo-katolikë, përfshirë Princin William. Udhëheqësit botërorë, krerët e shteteve dhe personalitete të tjerë të huaj do të ulen pas tyre.
Megjithatë, Trump nuk ka të ngjarë të jetë i kënaqur me rregullimet e karikeve, duke pasur parasysh se ai u tall me paraardhësin e tij Joe Biden për faktin se iu desh të ulej në rreshtin e fundit në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II tre vjet më parë.
Ai tha se vendi i Biden në rreshtin e 14-të tregonte se nuk kishte më “respekt” për SHBA-në dhe pretendoi se nëse do të ishte president, ai do të ishte zhvendosur më afër pjesës së përparme të audiencës prej 2 mij të pranishmëve.
Trump nuk mori pjesë në shërbesën përkujtimore për monarkun më jetëgjatë në Britani, pasi ftesat ishin të kufizuara vetëm për krerët aktualë të shteteve.
Të paktën 130 delegacione të huaja priten në funeralin e tij, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin e Argjentinës Javier Milei dhe presidentin francez Emmanuel Macron.
Shumë nga udhëheqësit e huaj që marrin pjesë në ceremoninë e së shtunës, përfshirë Trump, së bashku me zonjën e parë Melania Trump, dhe udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky, pritet të mbërrijnë në Romë në orët e vona të ditës së sotme.
Autoritetet italiane dhe të Vatikanit e kanë vendosur zonën përreth Shën Pjetrit nën siguri të rreptë me dronë të bllokuar, snajperë në çati dhe avionë luftarakë në gatishmëri. Pika të tjera kontrolli do të aktivizohen sonte, tha policia.

