Aktualitet
Vdekja e Lear Kurtit/ Hoxha ngre dyshime: Pse e ndaloi policia
Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka ngritur dyshime të forta në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili humbi jetën në komisariatin nr.3 në Tiranë pasi u shoqërua nga policia.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, 19 tetor 2022.
Hoxha, ngriti dyshime në lidhje me deklaratën e policisë se 32-vjeçari gëlltiti qesen me kokainë.
Hoxha tha se Kurti mund t kishte hedhur me lehtësi qesen me kokainë i ndihmuar nga errësira dhe nuk kishte pse ta gëlltiste.
Hoxha gjithashtu ngriti dyshime për mënyrën se si është çuar në spital viktima dhe faktin se ka patur një kohë të konsiderueshme nga momenti i ndalimit deri në çuarjen në komisariat.
Ai deklaroi se ngjarja ka nevojë për hetim, por këtë hetim nuk mund ta bëjë policia.
Hoxha: Në momentin e parë u tha që vdekja ka ardhur për shkak të epilepsisë. Nuk vjen vdekja prej epilepsisë. Raporti i mjekësisë ligjore nuk ka dalë sepse nuk është koha e mjaftueshme. Patrulla thotë kemi parë një person dhe i kemi kërkuar ID, pastaj e kanë ndjekur me vrap. Kur e kanë kapur, pretendojnë se ka gëlltitur një dozë kokaine. Policia thotë kemi gjetur qese plastike 5×5. Dozat janë 0.3 gram dhe 0.6 gram. Pyeta toksikologët, sa duhet që të humbë jetën një person? Ata thanë, nëse ka marrë një qese dhe është çarë në stomak, është shumë e rrezikshme dhe mua t’ia marrë jetën.
Pashë në Kolumbi se si trafikantët ua fusin në trup grave, por policia i çonte direkt në spital. Në rast se ka patur një dozë 0.3 gram ose 0.6 gram dhe ka vrapuar 200 metra, ai ka pasur mundësi që ta flakte, ta hidhte. Natën te Don Bosko kush do ta gjente?
Po e marrim të mirëqenë se e ka gëlltitur, sepse i ka ardhur keq për lekët… Aty thotë është gjetur qesja, por nuk dihet çfarë lënde ka brenda. Për të justifikuar një veprim policor, nxihet kartela e personit. Nuk ndodh në asnjë vend të botës, të vijë patrulla pa një motiv. Policia ka një manual për rastet kur ndalohen persona. Çfarë elementi të dyshimtë kishte ky person? Ata thonë e pamë para një biznesi. Çfarë problemi ka këtu?
Sipas kamerave, thuhet se ngjarja ka filluar në 23:07 minuta. Në komisariat ka vajtur në 23:30 minuta. Kanë thënë kemi kërkuar ambulancë, por nuk ka ardhur ambulanca. Policia thotë e kemi çuar vetë. Spitali thotë kur erdhi te ne ishte i vdekur. Kjo është një ngjarje që kërkon hetim, por nuk mund ta bëjnë persona të përfshirë këtë hetim. Duke dashur të dalin pa larë dhe duke u trembur, policia e ka kthyer objektivin nga vetja. Duhej lënë e gjithë koha, të ngrihej një grup mjekësh për të bërë autopsinë.