Rajon
Vdekja e Navalny-t/ Vuçiç: S’jam trup hetuesie…
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se “pozicioni i Beogradit në raport me Moskën do të jetë më i vështirë” pas vdekjes së liderit opozitar rus, Aleksei Navalny. Megjithatë, udhëheqësi serb hodhi poshtë mundësinë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Vuçiç tha për televizionin Prva më 18 shkurt se nuk dëshiron të flasë lidhur me atë se çfarë ndodhi me Navalnyn, që vdiq në një burg në Arktik, sepse ai tha se “unë nuk jam trup hetues”.
“Nuk jam më i mençur se të gjithë të tjerët në botë që dinë gjithçka paraprakisht. Kjo u përket analistëve politikë, por jo një presidenti të shtetit. Por, pozicioni do të jetë më i vështirë për ne, nuk kam dyshim”, tha Vuçiç. Ai theksoi se vdekja e Navalnyt “ka nxitur një zjarr të ri”, duke shtuar se “është tragjike kur një person i ri humb jetën”. Autoritetet ruse thanë më 16 shkurt se kritiku i Kremlinit, Navalny, u sëmur dhe humbi vetëdijen pas ecjes në një burg në Arktik, ku po vuante një dënim prej 19 vjetësh burgim.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë përgjegjës për vdekjen e tij presidentin rus, Vladimir Putin, ndërkaq Kombet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve ruse që të kryejnë hetime të besueshme. Presidenti i Serbisë po ashtu u përgjigj se pse gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Munih më 16 shkurt, kur u publikua lajmi për vdekjen e Navalnyt, ai nuk duartrokiti kur bashkëshortja e kritikut të Kremlinit, Yulia, mbajti fjalim.
“Papritur, një grua mu ul afër dhe unë nuk e kisha idenë se kush ishte ajo”, tha Vuçiç. Pas kësaj, sipas tij, organizatorët e Konferencës së Munihut, e thirrën atë në skenë dhe e prezantuan. “Vetëm atëherë kuptova se kush ishte gruaja që ishte e ulur afër meje. Do t’i kisha shprehur ngushëllime, por do të gabohesha, sepse vetëm disa minuta më vonë, ajo tha se nuk duhej t’i shprehnim ngushëllime”, tha Vuçiç. Vuçiç tha se ai shkon në takime ndërkombëtare për të luftuar për shtetin e tij, duke shtuar se pret se “do të ketë më shumë presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”. Serbia ka raporte të mira me Rusinë dhe pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar që të vendosë sanksione ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë, Beogradi ka refuzuar që të sanksionojë Rusinë.