Kronike
VDEKJE NE MESNATE/ Skaneri mediatik për Lear Kurtin
TIRANE- Kur kanë kaluar gati 10 orë nga vdekja e paqartë e 32-vjeçarit Lear Kurti pas ndalimit nga Policia, misteri në vend që të shuhet sa vjen dhe shtohet. Policia ende nuk është e qartë për të dhënë një version shterues sesi humbi jetën i riu. Dosja ka bërë një vëzhgim të deklaratave të institucioneve që bien në kontradiktë me njëra-tjetrën ndërsa familja e të riut janë në terr për trupin e djalit të vetëm.
Ajo që akoma nuk dihet është vendi ku vdiq i riu? A vdiq Lear Kurti në spital, rrugës për në spital apo në Komisariatin e Policisë nr.3? Kujt i ngeli në dorë trupi? Policisë apo mjekëve?
Zyrtarisht referuar deklaratave, Agjencia e Mbikqyrjes Policore deklaron se: Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.
Ndërkohë, në Spitalin e Traumës, raportimi mediatik është tjetër. Një tjetër media hkruan se Spitali i Traumës deklaron se kur ai ka mbërritur në spital, ka qenë pajetë dhe nuk ka patur mundësi sesi të shpëtohej. E paqartë është edhe rrethana nëse në spitalin e Traumës, u hap kartela për të riun ose jo. Sipas burimeve nga ky spital, 32-vjeçari është dërguar menjëherë në morgun e Tiranës. Atje trupi i është nënshtruar ekspertizës ndërsa babai ende nuk e ka parë trupin.
Lear Kurti, djalë i vetëm i familjes jetonte në zonën e ish-Parkut të Autobusave ndërsa deri më tani nuk ishte i njohur mediatikisht. Por në media, kryesisht në mediat pranë qeverisë, i riu është duke u përshkruar si një person me probleme shëndetësore, që vuan nga epilepsia, një version ky i kundërshtuar fort nga babai që thotë se “Djali ka qenë 2 metra si luan”.
Profilizimi vijon më tej duke e përshkruar si mikun e një nga personazheve të errët të botës së krimit në Tiranë dhe përdorues të lëndëve narkotike. Por sërish deri më tani, mungon një deklaratë e plotë ku të mësohet arsyeja e ndalimit dhe ajo e vdekjes së të riut. Pse nuk i jepet mundësia babait të shohë të birin? Pse nuk u prit ambulanca të shkonte të merrte 32-vjeçarin në komisariat? Zbardhja e kamerave të sigurisë do të tregojë më shumë për atë që ka ndodhur por deri më tani, dihet se Lear Kurti vdiq gjatë natës pas shoqërimit nga Policia.