Connect with us

Aktualitet

Vendimi për Belerin, Ministria e Jashtme greke: Po pengohet betimi i tij

Ministria e Jashtme greke ka reaguar në lidhje me vendimin e sotëm të gjykatës për kërkesën për lirim të kryetarit të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri me një deklaratë të shkurtër për shtyp, në faqen zyrtare të saj. Në njoftim thuhet se refuzimi i sotëm i kërkesës së Belerit për lirim nga burgu, që të mund të merrte detyrën si kryetar i ri i Bashkisë Himarë, pengon drejtpërdrejt betimin e tij dhe shkakton problematikë të thellë për qëllimet reale që qëndrojnë pas ndjekjes së tij, raporton ‘Protothema.gr’.

‘Ministria e Jashtme ka njoftuar se po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe pret respektimin e të drejtës së pafajësisë, deri në zhvillimin e gjyqit, element themelor i shtetit ligjor, nga shteti fqinj’

Gjykata e Posaçme rrëzoi sot kërkesën e bërë nga Beleri disa ditë më parë, lidhur me zëvendësimin e masës së tij. Më 14 qershor përmes avokatëve të tij Beleri kërkoi rrëzimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, me akuzën se ka blerë 8 vota për 400 mijë lekë të vjetra. Bashkë me të, është prangosur dhe Pandeli Kokaveshi, për të cilin është dhënë masë më e lehtë pasi vuan nga zemra./Dosja.al

Advertisement