Zyra e Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë ka dënuar vendimin e Kuvendit të Republikës Srpska për mbajtjen e një referendumi, ku qytetarët e entitetit do të shprehen mbi aktgjykimin e gjykatës dhe KQZ-së kundër Millorad Dodikut, i cili iu hoq mandati i presidentit të RS-së.

Në një deklaratë, BE thekson se vendimi i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës është përfundimtar dhe i detyrueshëm, dhe nënshtrimi i tij në votim publik shkel parimin e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e organeve gjyqësore.

Delegacioni i BE-së gjithashtu i bëri thirrje autoriteteve të RS-së të shmangin provokime që mund të çojnë në kriza dhe destabilizim dhe të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Bosnjës dhe Hercegovinës. “Ne presim që autoritetet e RS-së të qetësojnë situatën dhe të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues dhe ligjor të BiH-së,” thuhet në reagim.

Sipas vendimit të miratuar, referendumi do të mbahet më 25 tetor 2025. Ky vendim bie ndesh me Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të organizojnë referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore.