Connect with us

Aktualitet

Lamtumirë TikTok/ A rrezikon të mbyllet edhe Facebook dhe Instagram?

Përfaqësues të Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Birn Albania dhe Qendrës për Fuqizimin Ligjor dorëzuan sot pranë Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për pezullimin e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave mbi mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.

Drejtuesi i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë (AGSH), Isa Myzyraj, përpara godinës së Gjykatës Kushtetuese se legjitimimi i një vendimi të tillë, do të sillte një precedent të rrezikshëm që mund t’i hapte më pas rrugën edhe mbylljen e rrjeteve të tjera sociale. Sipas tij ky vendim cënon lirinë e shprehjes.

“Nuk mund të shkohet në censurë të plotë dhe mbyllje të rrjeteve sociale. Kjo cënon lirinë e shprehjeve dhe të drejtën ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Jemi besimplotë që anëtarët e GJK nuk do ta legjitimojë sepse kjo do të krijojë precedent që mund të çojë në mbylljen e rrjeteve të tjera sociale, apo mbylljen e internetit nga kjo qeveria apo qeveri të tjera që do të vijnë më pas”, tha kreu i Asocacionit për Gazetarët Shqiptarë.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kërkoi zyrtarisht mbylljen e aksesit në platformën sociale “Tik Tok” deri më datë 13 mars, por mbyllja nuk ka ndodhur ende. Për mbylljen e aplikacionit do të bllokohen IP e Tik Tok në territorin e Shqipërisë, DNS e TikTok, SNI (Server Name Indications) të Tik Tok dhe IP e kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë. Gjithsesi mbyllja ende nuk ka ndoshur dhe shumica e përdoruesëve të Tik Tok, vijojnë të kenë akses në platformë.

Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Brenda një jave apo 10 ditësh, shqiptarët nuk do të mund të aksesojnë më platformën “Tik Tok”. Vendimin e marrë e ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se për 12 muaj, “Tik Tok” nuk do të mund të funksionojë më brenda territorit të Shqipërisë.

Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre.

Advertisement