Politike
VENDORET/ PS merr 53 bashki, Veliaj mbi 52 mijë vota para Këlliçit
PS ka triumfuar deri tani në 52 bashki të vendit, Kamëz, Vorë, Elbasan, Pustec, Kolonjë, Librazhd, Dropull, Tropojë, Roskovec, Libohovë, Rrogozhinë, Këlcyrë, Gramsh, Belsh, Përmet, Delvinë, Selenicë, Tepelenë, Peqin, Poliçan, Devoll, Lushnjë, Bulqizë, Mat, Klos, Korçë, Kuçovë, Sarandë, Dibër, Skrapar, Cërrik, Patos, Prrenjas, Berat, Vau i Dejës, Mallakastër, Vlorë, Konispol, Maliq, Lezhë, Dimal, Mallakastër, Divjakë, Shijak, Përmet, Pogradec, Mallkastër, Kukës, Divjakë dhe Kurbin. Gjithashtu edhe Tirana dhe Malësia e Madhe mund të konsiderohen të fituara nga PS pasi diferenca është shumë e thellë dhe votat në kutitë e mbetura nuk mund të ndikojnë në rezultat. Në Tiranë diferenca e Veliajt me kandidatin rival, Këlliçin është më shumë se 52 mijë vota. Ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka arritur të fitojë në total vetëm në shtatë bashki Kavajë, Pukë, Has, Himarë, Memaliaj, Mirditë, Fushë Arrëz. Në Finiq fitoi partia MEGA me kandidatin Romeo Çakuli. Dyshja Berisha-Meta nuk arritën që të fitonin as në vendet e tyre të lindjes, në Tropojë dhe Skrapar, bashki këto të “veshura rozë” në këto zgjedhje vendore. E ndërsa Partia Demorkatike zyrtare që është forcë e tretë në 14 Bashkitë ku ka pasur kandidat nuk numëron asnjë fitore.
Në Bashkinë Tiranë nga 941 qendra votimi në total, deri më tani janë numëruar 871 prej tyre. Kandidati i PS, Erion Veliaj thellon gjithmonë e më shumë rezultatin dhe drejt fitores i sigurt me 54.48% (145.328 vota). Sakaq, kandidati i koalicionit “BF”, Belind Këlliçi e ndjek në vendin e dytë me 34.79% (92.804), me mbi 52 mijë vota diferencë. Më tej kandidatët e partive të tjera, më konkretisht Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë ka marrë deri tani 4.77% të votave. Roland Bejko i PD-së me 4.27%. Nga ana tjetër Lajla Përnaska e PDIU me 0.73%, ndërsa Marko Dajti i Frontit të Majtë ka 0.97%.
Në bashkinë e Kavajës, fitues është shpallur kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë’, Fisnik Qosja i cili arriti të përmbyste rezultatin falë votave në kutitë e fundit të mbetura për t’u numëruar.
Në Bashkinë Rrogozhinë ka përfunduar numërimi dhe fitues Edison Memolla me 50.11% dhe kandidati i BF Shkëlqim Hoxha merr 49.89%. Diferenca është e ngushtë me vetëm 23 vota.
Partia Socialiste ka fituar thellë në Kamëz, me Rakip Sulin që ka marrë 60.36 përqind të votave, ndërkohë që kandidati I Berishës ka marrë vetëm 35.32 % të votave. Kandidati i PD Bilbil Bajraktari ka marrë vetëm 4.3%.
Edhe në Vorë socialistët kanë marrë një rezultat spektakolar. Janë numëruar 44 nga 44 kuti dhe Blerim Shera ka marrë 73.5 %të votave ndërsa Indrit Hoxha vetëm 26.5 përqind.