Sport
Vendos gjykata, Agim Ademi në arrest shtëpie për…
Kreu i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi u arrestua mesditën e të mërkurës në Prishtinë, teksa sot ka dalë para gjykatës për t’u njohur edhe me masën e sigurisë.
Prokuroria ka kërkuar si masë, arrest shtëpie për 30 ditë, për kreun e FFK-së, i cili ka mbërritur edhe vetë në Gjykatë, i shoqëruar nga ambulanca. Pas arrestimit të të mërkurës, Ademi qëndroi vetëm pak orë në qeli, pasi kërkoi ndihmë mjekësore dhe u dërgua në Spitalin e kryeqytetit.
Agim Ademi akuzohet për shpërdorim detyre dhe shmangie të taksave, krime për të cilat legjislacioni i Kosovës parashikon dënim me gjobë dhe burg nga 3 muaj deri në 8 vite.
Kreu i FFK-së, u mor të pyetje të martën nga përfaqësues të prokurorisë dhe të mërkurën u kërkua arrestimi i tij, në ambientet e hotelit ku po qëndron e grumbulluar përfaqësuesja e Kosovës.
Kjo e fundit po përgatitet për ndeshjen ndaj Izraelit në Tel Aviv, por arrestimi i kreut të FFK-së, padyshim ka tronditur ambientin. Vetë FFk reagoi pasditen e të mërkurës në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku shprehu besimin te drejtësia dhe u ankua mbi kohën dhe mënyrën si proceduan autoritetet për arrestimin e Ademit.