Shkrime
Veprimet e SPAK me Veliajn, shpërthejnë konfliktin e vjetër me Ballukun në PS
Mbrojtja e Erion Veliajt ka shpërndarë sot për mediat një deklaratë ku vihet në pikpyetje hetimi i drejtë dhe i paanshëm i SPAK kundër kryebashkiakut të Tiranës, duke i trajtuar, kolegët e djeshëm si persekutorët politikë të sotëm. Të gjitha dyshimet e ngritura në 8 pikat e numëruara nga avokatët, të lënë përshtypjen se prokurorët kanë bërë një hetim në shkelje të ligjit, të yshtur nga qëllime që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë dhe kërkimin e së vërtetës.
Po cilat janë ato dhe kush akuzohet në mënyrë indirekte? Atë që nuk e thonë me gjuhë juridike avokatët e plotësojnë mbrojtësit mediatikë të kryebashkiakut. Prej dy ditësh, mes përkrahësve publikë të Veliajt po përhapet një aludim se një pjesë e sulmit ndaj tij vjen nga Partia Socialiste dhe një grup brenda qeverisë, që kanë qenë gjithmonë kundër atij që konsiderohej si delfini i Ramës.
Ajo e cila tregohet me gisht është “motër” Bela. Belinda Balluku e cila pa hyrë në qarqet e larta të Rilindjes, ka drejtuar drejtorinë e avaiacionit civil, po aludohet se ka spiunuar të dhënat e lëvizjeve të Veliajt që në mes të viteve 2000, atëhere kur sistemi TIMS ende nuk funksiononte dhe të dhënat nuk mund të vileshin “on line”. “Denoncuesi anonim ka dorëzuar në SPAK informacione konfidenciale të Aviacionit Civil, siç është një fluturim i Veliajt 20 vite më parë, duke ngritur pikëpyetje se kush është burimi që i ka dhënë një anonimi informacione jo publike nga Aviacioni” shkruante media e Karlo Bolinos.
Balluku pretendohet se ka bërë, përmes një emri që nuk ekziston, denoncimin në prokurori.
‘Pra, denoncuesi anonim i ka kërkuar SPAK-ut të gjurmojë, pasi sipas tij Veliaj ka qenë me një person tjetër në të njëjtin avion. Pikëpyetja që natyrshëm ngrihet, është se si e ka gjetur ky anonim inekzistent aksesin për të gërmuar në regjistrat e Aviacionit Civil dhe të gjejë një informacion kaq konfidencial se në avion me Veliajn 20 vite më parë ka qenë dhe një person tjetër, biznesmen, kur sistemi TIMS as nuk ka ekzistuar në atë kohë. Kush është burimi i “kallëzuesit anonim shumë të informuar” që ka gjetur një dokument jo publik nga lista e Aviacionit Civil” pyeste sot Shqiptarja.com, një media shumë pranë Veliajt.
Pra nuk ka dyshim se me gisht tregohet zv/kryeministrja Balluku, si një nga personat që qëndron pas denoncuesit të rremë Nesti Angoni. Ky është versioni që po shpërndahet nga mediat pranë Veliajt, në një farë mënyre për ti bërë presion Ramës se po e shet ish bashkëpunëtorin e tij dhe nga ana tjetër për të forcuar përshtypjen se kryebashkiaku është viktimë e luftës brenda llojit.
Po a po luftohet Veliaj nga armiqtë e tij brenda Rilindjes, dhe a po i prin Belinda Balluku kësaj lufte? Nuk është cudi që, njësoj si në kohën e rastit të Arben Ahmetajt kjo të jetë një larje hesapesh brenda familjes. Nuk habit askënd as fakti se mbrapa kësaj historie, me gjasë, qëndron zv/kryeministrja, një rivale e hershme e Lalit në selinë mavi. Por cdo kush që hedh këto pandehma duhet të ngrejë edhe një pyetje, që mbështetësit e Veliajt hezitojnë ta ngrejnë: A mund të ndodhë kjo pa bekimin e Ramës? A mund të shkatërrohet kariera e kryebashkiakut të Tiranës për tre mandate, që njollos gjithë PS-në, pa i hyrë gjemb në këmbë atyre që po e pompojën këtë kaos?
Këto dilema ngrenë disa hipoteza. E para se askush nuk qëndron pas asnjë komploti dhe SPAK, po bën punën e tij duke goditur Veliajn me preokupimin për të dëmtuar sa më pak PS (pra jo për inceneratorët dhe 5D por vetëm mër pasurinë e tij). Së dyti versioni se ai po goditet nga Balluku mund të qëndrojë, por në këtë rast nga ky komplot nuk përjashtohet dot Rama, pa bekimin e të cilit zv/kryeministrja nuk do të guxonte të hidhte asnjë hap. Por nëse pranojmë këtë pandehmë, atëhere ajo do një spjegim: Pse Rama do të qe i interesuar të zhdukte politikisht ish delfinin e tij?
Këtu përgjigjja mund të ishte më e thjeshtë. Për të lënë tokë të djegur rreth vetes, që pas zgjedhjeve askush të mos qe i interesuar për të folur për një kalim stafete. Duke shkatërruar fillimisht opozitën dhe duke eleminuar cdo pasardhës, lideri autokrat e ruan pushtetin pas 11 majit, duke u paraqitur si alternativa e vetme, si e keqja e domosdodhme përballë humnerës.
Por pranimi i kësaj logjike ngre një pyetje tjetër: Nëse qëllimi i kryeministrit është ky, pse ai nuk po vepron si në rastin e Arben Ahmetajt, kur tha se po të isha unë prokuror “do ta pësonte më keq”. Pse publikisht për Veliajn mbetet në fuqi deklarata se bashkohet me të “me pikë dhe me presje”? Përgjigja do të qe: për një arsye të thjeshtë, pasi edhe nëse ka vendosur ta djegë atë që ishte projektuar si pasardhësi i tij, Rama nuk do të përsërisë telenovëlen e Ahmetajt që vazhdon ta godasë nga arratia. Këtë herë ai mund të ketë preferuar metodën e thikës pas shpine duke përdorur për këtë Belinda Ballukun.
Cili nga këto versione mund të jetë më pranë së vërtetës? Vështirë të thuhet. Por ajo që dihet me siguri është se në rrethin e ngushtë të Veliajt, në gjirin e avokatëve të tij dhe tek mbrojtësit e vet mediatikë, po përforcohet ideja se ata po goditen nga një pjesë e PS-së e cila po përdor për këtë SPAK-un. Dhe kjo është hera e parë që “kolegët”, mbi të gjitha prokurori i kësaj dosjeje Ols Dado, po trajtohen nga e majta si konspiracionistë. Pyetja e fundit është: A ka aq fuqi Lali, sa të fusë një segment të PS-së në betejë me “heronjtë e fëmijëve tanë”?©Lapsi.al