Rajon
Veriu fshihet nga harta/ Ky është opsioni i ri i ndërkombëtarëve
“Ajo që unë lexoj mes rreshtash është se ka një pjesë të faktorit ndërkombëtar që është i interesuar të kthejë shkëmbimin territorial” dhe pavarësisht nga sulmi i Banjskës, “ende nuk kemi masa ndëshkuese për Serbinë” – kështu është shprehur deputeti i Kosovës Haki Abazi.
“Milam Radoiçiç, i cili mori përgjegjësinë për terrorizmin në Nanjskë të Zbeçanit, ende lëviz i lirë në Serbi, kurse bashkësia ndërkombëtare po vazhdon që në nivel deklarativ të kërkojë që drejtësia të thotë fjalën e saj për ngjarjen. Por ajo që une lexoj mes rreshtash është se ka një pjesë të faktorit ndërkombëtar që është i interesuar të kthejë shkëmbimin territorial si opsion të zgjedhjes përfundimtare të problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht kjo pjesë e faktorit ndërkombëtar ka mbyllur sytë para një invazioni të atillë në veri që do të krijonte një realitet të ri”, – u shpreh Abazi.
Më tej, ai theksoi që përkrahja nga SHBA dhe shtetet tjera evropiane nuk po mungon mirëpo Serbia përsëri e projekton veprime që ta bëjë Kosovën vend jostabil.
“Fatmirësisht SHBA dhe shtetet tjera serioze evropiane nuk janë në pajtim me situatën dhe po e përkrahin Kosovën dhe integritetin territorial të saj. Kjo ka bërë që të ketë një lloj stepje nga ana e Beogradit zyrtar, por jo domosdoshmërisht kjo do të thotë se Serbia nuk do të bëj përpjekje në të ardhmen për të krijuar realitet të ri në terren për të imponuar skenare që sfidojnë pavarësinë dhe funksionalitetin e Kosovës, duke realizuar qëllimet e Serbisë, për ta mbajtur Kosovën një vend të paqëndrueshëm dhe jostabil, sidomos për investitorët e huaj”, – u shpreh deputeti.