Kronike
Video/ Momenti kur arrestohet autori që vrau fqinjin, po ecte shëtitje në bulevardin e Durrësit
35-vjeçari Ilir Koçilja, që vrau fqinjin, u kap pas disa orësh arratie në bulevardin e qytetit.
Në momentin e arrestimit, autorit të dyshuar iu gjet në xhep, thika me të cilën dyshohet se qëlloi për vdekje Halil Kokën.
Sherri mes tyre nisi në lagjen numër 4 të qytetit, ku Koçilja sulmoi me thikë komshiun. I plagosur 47-vjeçari kapërceu rrugën dhe vrapoi për t’i shpëtuar agresorit të tij, por u rrëzua në rrugë, pranë kontejnerëve të mbetjeve urbane. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital.
Koçilja është person me precedent të mëparshëm penal. Ai është dënuar në vitin 2018 me 4 muaj burg për përndjekjen e Roxhesa Klironomit, vajzës që më pas humbi jetën në një aksident automobilistik bashkë me shoqen e saj në autostradën Tiranë- Durrës, në nëntor 2022.
Ndërkohë viktima është dënuar 2 herë për armëmbajtje pa leje. Në 2008 me 6 muaj burg dhe në 2012 me 5 muaj burg.
Në 2021, Koka është arrestuar sërish për armëmbajtje pa leje me një person tjetër, por ndaj tij prokuroria e ka pushuar çështjen dhe është dënuar vetëm personi tjetër.