Bota
Video/ Përleshje mes tifozëve dhe policëve, 174 të vdekur
Një tragjedi me të paktën 174 të vdekur të konfirmuar deri më tani është regjistruar të shtunën në një ndeshje futbolli në Indonezi. Pas përfundimit të ndeshjes mes Arema dhe Persebaya për kampionatin kombëtar dhe humbjes së parë me rezultatin 3-2, mijëra tifozë të vendasve pushtuan fushën e “Kanjuruhan Stadium”, ku u përplasën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur.
Në panikun që u shkaktua, shumë njerëz u shkelën me këmbë nga turmat e mëdha që vraponin dhe ziheshin, ndërsa qindra të tjerëve iu ra të fikët. Përplasjet mes tifozëve dhe policisë kanë vazhduar, ndërsa stadiumi është kthyer në një zonë lufte.
Përleshjet trup me trup vazhduan edhe jashtë fushës, ku disa persona humbën jetën. Sipas Reuters dhe rrjeteve të tjera të huaja të paktën 174 persona kanë humbur jetën. Në fakt, siç raportohet në mediat lokale, mes të vdekurve ka edhe fëmijë. Një drejtor spitali konfirmoi për televizionin lokal se një viktimë ishte pesë vjeç.
Shefi i policisë së ‘Java Lindore’, ku ndodhi tragjedia, bëri të ditur se 34 persona humbën jetën në stadium dhe të tjerët vdiqën rrugës për në spital ose në spitalin ku po trajtoheshin.
Presidenti Joko Widodo ka urdhëruar që të ndalohen të gjitha ndeshjet në ligën më të lartë të Indonezisë derisa të përfundojë hetimi.
“Policia më pas hodhi gaz lotsjellës, duke çuar në një rrëmujë të turmës dhe raste mbytjeje, tha Nico Afinta, shefi i policisë në Java Lindore. “Ishte bërë anarkike. Ata filluan të sulmojnë oficerët, ata dëmtuan makina,” tha ai, duke shtuar se dy oficerë policie ishin në mesin e të vrarëve.
“Ne do të donim të përcillnim se… jo të gjithë ishin anarkikë. Vetëm rreth 3,000 që hynë në fushë,” tha ai.
Në të njëjtën kohë, mediat e vendit flasin për më shumë se 180 të plagosur, duke thënë se disa prej tyre janë në gjendje të rëndë. Në total, më shumë se 300 persona u dërguan në spitalet për trajtim pas incidenteve, të cilat policia i cilësoi si “trazira”.
Pas incidentit tragjik, liga e futbollit të vendit njoftoi pezullimin e ligës indoneziane për një javë, ku presidenti i federatës, Ahmad Hadian Lukita, njoftoi se do të kryhej një hetim për të gjetur përgjegjësit e incidenteve të pabesueshme. Arema FC nuk do të presë ndeshjet në shtëpi për pjesën e mbetur të sezonit.
Kjo nuk është tragjedia e vetme ne futbollin botëror.
Në vitin 1964, gjithsej 320 njerëz u vranë dhe më shumë se 1000 u plagosën gjatë një rrëmuje në një ndeshje kualifikuese olimpike Peru-Argjentinë në Lima.
Në vitin 1985, 39 njerëz vdiqën dhe 600 u lënduan në stadiumin Heysel në Bruksel, Belgjikë, kur tifozët u shtypën pas një muri që më pas u shemb gjatë finales së Kupës Evropiane midis Liverpool (Angli) dhe Juventus (Itali). Në Mbretërinë e Bashkuar, në stadiumin Hillsborough në Sheffield u zhvillua një përleshje, që rezultoi në vdekjen e 97 tifozëve të Liverpool-it që ndiqnin gjysmëfinalen e Kupës FA të klubit kundër Nottingham Forest.