Connect with us

Aktualitet

VIDEO/ Ra në koma nga mjekimi i gabuar, historia e Jani Rustemit që vdiq

Rasti i Jani Rustemit, të riut që mbylli sytë sot, kur ka kaluar më shumë se një muaj nga arrestimi i tij, u bë publik nga mediat. Ishte nëna e tij që mori guximin të bënte denoncimin në emisionin ‘uniko’ duke treguar se i biri, 28 vjeç dhe baba i dy fëmijëve ishte në gjendje shumë mirë para se të arrestohej nga policia.

Rustemi ishte shpallur në kërkim pasi akuzohej se kishte vjedhur një tapet e një palë atlete dhe efektivët e vunë në pranga më datë 13 prill. Por, vetëm një ditë më pas, 28-vjeçari që ndodhej në qelitë e paraburgimit tek ‘302’-shi në rrugën ‘Mine Peza’ në Tiranë, u ndje keq. Ai shfaqi probleme shëndetësore, por pavarësisht gjendjes së tij, Rustemi doli para gjykatës dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë ‘arrest me burg’.

Policia ndërkohë nuk kishte bërë asnjë reagim! Më datë 17, gjendja e Rustemit u rëndua sërish dhe ai u shtrua në spital. Tre ditë më vonë, nëna e tij bëri një kallëzim dhe ngriti pretendimin se djali i saj ishte keqtrajtuar nga efektivët e policisë. Autoritetet vijonin të heshtnin, duke mos nxjerrë asnjë njoftim rutinë për rastin në fjalë, deri në momentin që nëna e Rustemit me videon ku shihej i biri që dergjej në shtratin e spitalit, iu drejtua mediave.

Ajo denoncoi publikisht ratin në emisionin “Uniko”, ku rrëfeu se Jani kishte qenë në gjendje shumë të mirë shëndetësore një ditë pasi efektivët ta vinin në pranga. Si provë, Pranvera Rustemi kishte dhe një video të postuar në Instagram, vetëm më 12 prill. Aty Jani shihej teksa qeshte dhe kuante me qenin që kishin në shtëpi. Nëna e Jani Rustemit tha se policia nuk i ka dhënë asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të të birit. Ajo theksonte se djali nuk vuan nga asnjë sëmundje dhe nuk e lënë as që të hyjë në spital t’i qëndrojë afër.

“Jam një nënë me 5 jetimë. Kam problemin e djalit, Jani Rustemi. E arrestuan për vjedhje, kishte arrestuar një tapet një palë atlete. Më erdhi policia në darkë bashkë me çunin, dola jashtë, te furgoni i policisë e kisha djalin. Fola, ishte mirë djali atë ditë. Pastaj pas 4 ditëve më mori në telefon, më tha o ma më sill pasaportën se nuk më regjistrojnë këtu. Ja ku e kam pasaportën e djalit. Nuk kam arritur t’ia çoj. Nuk arrita, nuk kam pasur lekë, thashë kur të bëhem me lekë do shkoj do bëj takim për djalin. Pastaj më morën në telefon policët. Shkoni më thanë se keni djalin sëmurë. Kam shkuar te burgu i policisë. Kam vajtur, kam pyetur te spitali i burgjeve. Nuk e gjeta aty, nuk ishte i shtruar. Pastaj pas disa ditëve më erdhi polici, dy civilë këtu në shtëpi. Shko më thanë filan vend. E ke sëmurë, pak me ftohje. Shkuam në spital. Kam vajtur te Nënë Tereza, çuni ishte në reanimacion, ishte shumë keq. Doktori më tha nuk kam shpresa për djalin tënd. Djalin e kam gjet në spital, në këtë gjendje. (tregon videon) Edhe këtë mezi e mora se nuk më linin policia, e mora fshehurazi. Këtu është në reanimacion dhe doktori tha nuk kemi shpresa, vetëm tek duart e Zotit e keni djalin. Doktori tha vetëm që i kanë bërë shumë Metadon. Hashash e dija që binte, por ishte për bukuri,”- rrëfente nëna e Janit me lot në sy.

Dhe pas këtij rrëfimi, Policia e Shtetit u ‘kujtua’ të bënte një reagim. Në një njoftim të gjatë, PSH tregonte se si i riu ishte sorollatur nga një institucion në tjetrin, por pa sqaruar se çfarë kishte ndodhur saktësisht me shëndetin e Rustemit.

Njoftimi i policisë:

Me datë 14.04.2023, kohë që ky shtetas ka qenë në Bllokun e Sigurisë te DVP Tiranë, ka shfaqur shqetësime shëndetësore, dhe nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.

Me datë 15.04.2023, ky shtetas është shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku kjo Gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Me datë 16.04.2023, pas daljes së urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, dhe ky i arrestuar është dërguar në IEVP-313, Tiranë. Autoritetet e IEVP 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Me datë 17.04.2023, shtetasi J. R., ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar dhe në ambientet e spitalit është siguruar me punonjës Policie të DVP Tiranë. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, me datë 19.04.2023, në ambientet e spitalint “Nënë Tereza”, është marrë në ruajtje nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më datë 30.04.2023, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja P. R., (nëna e të arrestuarit) e cila ka ngritur pretendime për trajtimin shëndetësor të djalit të saj.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Drejtorinë e AMP-së Tiranë, kanë administruar kallëzimin e kësaj shtetaseje, kanë sekuestruar të gjithë praktikën procedurale dhe shëndetësore për këtë të arrestuar, kanë pyetur më cilësinë e personit që tregojnë rrethana të dobishme për hetimin, disa punonjës Policie dhe stafin mjekësor të Bllokut të Sigurisë, dhe materialet do ti kalojnë për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sipas Policisë së Shtetit, po kryheshin hetime, por ditët kaluan dhe deri sot, kur dhe i riu ka ndërruar jetë, nuk ka pasur asnjë informacion të mëtejshëm.

Çfarë ndodhi me Janin? A iu dha metadon? Në bazë të të cilave kushte? Aiu bë një analizë paraprake për lëndët narkotike? Ishte Rustemi një përdorues i lëndëve narkotike, dhe nëse po, të cilës lloji dhe si duhej mbajtur nën kontroll? Mban dikush përgjegjësi për vdekjen e një të riu që la dy fëmijë pas?

Për mënyrën e trajtimit të Rustemit ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH). Në reagimin zyrtar, KShH shkrunte se institucionet kanë kryer një sërë shkeljesh, se janë përdorur standarde të dyfishta duke mos e pranuar në burgun 313 por duke e mbajtur për 5 ditë në dhomat e policisë. Kjo gjë, sipas KShH-së i ka dëmtuar gjendjen shëndetësore të riut. KShH përmend dhe faktin që Rustemi është pjesë e komunitetit rom, gjë që ka bërë që autoritetet të mos e kishin prioritet situatën e tij.

Por, institucionet sërish heshtin…

Advertisement